Ballina Opinion Dështimi më i madh i qeverisë

Dështimi më i madh i qeverisë

69
0

Nga Ylli Manjani 

Ka shumë mënyra për të matur suksesin ose dështimin e një qeverie: ekonomia, rrugët, shkollat, investimet, papunësia. Por ka një tregues shumë më të rëndë, që nuk hyn pothuajse kurrë në statistika: shëndeti mendor i shoqërisë.

Ky është dështimi më i madh i kësaj qeverie. Në fakt, i të gjitha qeverive që kemi pasur. Por kjo mban peshën më të madhe të përgjegjësisë, sepse ka më shumë se një dekadë në pushtet dhe nuk ka më justifikimin se gjeti një problem të trashëguar.

Po ecim drejt një shoqërie ku njerëzit me çrregullime të rënda mendore enden rrugëve të padiagnostikuar, të patrajtuar dhe të braktisur. Jo sepse janë fajtorë ata, por sepse shteti ka hequr dorë prej tyre.

Shërbimi psikiatrik nuk është i lehtë për t’u ngritur e për t’u mbajtur. Kërkon specialistë, investime, institucione dhe durim. Por është një domosdoshmëri sociale, jo një luks.

Avokati i Popullit konstatoi dje, me të drejtë, probleme serioze me shërbimin psikiatrik në burgje. Por problemi nuk fillon në burg. Burgu është fundi i zinxhirit. Deficiti i vërtetë është në të gjithë sistemin shëndetësor.

Sot sistemi nuk arrin as të motivojë formimin e psikiatërve. Brezat e rinj largohen nga kjo degë, ndërsa nevoja rritet çdo vit. Si rezultat, shërbimi degradon dhe pacientët mbeten pa trajtim.

Prandaj psikopatët janë rrugëve.

Kjo nuk është më çështje psikologësh. Ka raste kur duhen psikiatër, trajtim mjekësor dhe, kur është e nevojshme, shtrim në institucione të specializuara. Të pretendosh se çdo problem zgjidhet me këshillim psikologjik është një naivitet që kushton shtrenjtë.

Një anekdotë e vjetër e përshkruan me humor të zi realitetin tonë.

Një kalimtar pyet në Sheshin Skënderbej:
— Më fal, ku është psikiatria?
Tjetri i përgjigjet:
— Këtu je. Vetëm thuaj për cilin pavijon e ke fjalën.

Qeshim me batutën, por ajo po bëhet gjithnjë e më pak shaka.

Sepse kur pacientët shtohen dhe mbeten pa trajtim, nuk rrezikohen vetëm ata. Rrezikohet e gjithë shoqëria. Atëherë lindin sjellje agresive, akte vandalizmi, thirrje për dhunë dhe, në raste ekstreme, edhe veprime me tipare guerrilase.

Sulmet ndaj bizneseve, përpjekjet për të penguar koncerte, urrejtja ndaj njerëzve që duan thjesht të jetojnë jetën e tyre, nuk mund të romantizohen si aktivizëm politik. Në shumë raste ato ngjajnë më tepër me manifestime të një shëndeti mendor të patrajtuar sesa me bindje politike të mirëartikuluara.

Dhe në këtë pikë as burgu nuk bën më punë. Burgu ndëshkon një vepër, por nuk shëron një sëmundje.

Po ata pronarë biznesesh që dalin në televizione për të justifikuar ose për të duartrokitur sulmet ndaj bizneseve të të tjerëve, çfarë janë?

Është e vështirë të gjesh logjikë në një sjellje të tillë. Të mbështesësh shkatërrimin e pronës private vetëm sepse nuk është prona jote, nuk është shenjë ekuilibri. Ndoshta nuk janë raste aq të rënda sa ata që kalojnë në dhunë, por sigurisht nuk është një normalitet që duhet marrë si model.

Jam i bindur se po t’u sulmohej biznesi i tyre, do të ishin të parët që do të kërkonin mbrojtjen e shtetit dhe zbatimin e ligjit.

Prandaj, dështimi në trajtimin e sëmundjeve mendore nuk është vetëm një problem i sistemit shëndetësor. Është një problem i rendit publik, i sigurisë, i ekonomisë dhe i vetë demokracisë.

Kur shteti nuk kujdeset për shëndetin mendor të qytetarëve të tij, shoqëria fillon të jetojë në një çmendinë kolektive, ku sociopatia trajtohet si aktivizëm, agresioni si idealizëm dhe urrejtja si virtyt.

Dhe ky është, ndoshta, dështimi më i madh i një qeverisjeje.