Ballina Aktualitet “Mbretëresha foli”, ndjekësit përgëzojnë Dua Lipën dhe iu bëjnë thirrje artistëve shqiptarë...

“Mbretëresha foli”, ndjekësit përgëzojnë Dua Lipën dhe iu bëjnë thirrje artistëve shqiptarë të ndjekin shembullin e saj

69
0

Reagimet vlerësuese e falenderuese për Dua Lipën në rrjetet sociale pas publikimit të një pjese të podcast-it të saj me filozofen Lea Ypi kanë qenë të shumta.

Një pjesë e madhe e ndjekësve nga Shqipëria dhe e gjithë bota e kanë falënderuar artisten shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa për qëndrimin e saj në mbështetje të zërit të qytetarëve shqiptarë, duke e konsideruar atë si një figurë me ndikim që kontribuon në forcimin e frymës së ndryshimit në Shqipëri.

Shumë komentues e vlerësojnë faktin që ajo përdor platformën e saj ndërkombëtare për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve që prekin vendin. Në komente shfaqen mesazhe mbështetëse si “Faleminderit, Dua”, “Mbretëresha më në fund foli”, “Bravo, Dua”, “Jam i lumtur si shqiptar që ajo po flet” dhe “Bëhu zëri i shqiptarëve”, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj si të rëndësishme dhe duke e inkurajuar të vazhdojë të ngrejë zërin për çështjet që prekin Shqipërinë.

Në qindra komente vlerësohet Dua Lipa si artiste, intelektuale dhe model frymëzimi, duke theksuar se ndikimi i saj shkon përtej muzikës dhe se zëri i saj ka peshë në çështje me interes publik.

Disa ndjekës kanë kërkuar që artistja të mbajë një qëndrim më të drejtpërdrejtë lidhur me protestat qytetare dhe Ligjin 21/2024, duke mbështetur sloganin “Albania is not for sale” (“Shqipëria nuk është në shitje”).

Një mesazh që përsëritet në komente është kërkesa që shembulli i Dua Lipës të ndiqet edhe nga artistë, këngëtarë dhe figura të tjera publike shqiptare.

Qytetarët shprehen se personalitetet me ndikim kanë mundësinë të sensibilizojnë opinionin publik dhe të kontribuojnë në mbështetjen e kauzave që prekin interesin e përbashkët, duke përdorur zërin dhe platformën e tyre për të nxitur ndërgjegjësim dhe debat publik.