Ballina Europë Operacion i madh antimafia në Itali, 79 masa sigurie kundër klaneve të...

Operacion i madh antimafia në Itali, 79 masa sigurie kundër klaneve të ‘Ndranghetës

73
0

Një operacion i gjerë antimafia është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së martës në Reggio Calabria, ku autoritetet italiane goditën disa nga klanet më të fuqishme të organizatës kriminale ‘Ndrangheta.

Aksioni, i koordinuar nga Drejtoria Distriktuale Antimafia e Reggio Calabria dhe i zbatuar nga karabinierët dhe Policia e Shtetit, ka në shënjestër familjet mafioze De Stefano, Tegano dhe Condello.

Gjatë operacionit u ekzekutuan 79 masa sigurie, ku 73 persona u dërguan në burg, ndërsa 6 të tjerë u vendosën në arrest shtëpie.

Të arrestuarit akuzohen, sipas rolit të tyre, për pjesëmarrje në organizatë mafioze, trafik ndërkombëtar droge, zhvatje, armëmbajtje pa leje, grabitje dhe vepra të tjera penale të kryera me metodë mafioze.

Sipas hetimeve, klanet kishin ngritur një rrjet të mirëorganizuar aktivitetesh kriminale, duke kontrolluar pjesë të territorit të Reggio Calabria-s dhe duke siguruar fitime përmes trafikut të drogës dhe zhvatjes së biznesmenëve. Hetuesit thonë se operacioni ka zbuluar edhe interesat ekonomike të grupeve mafioze dhe mënyrën se si ato ruanin ndikimin e tyre në zonë.