Ballina Politika Deputeti Vasil Llajo i Intermedicas: QSUT nuk ka mungesa, thjesht kërkon donacione

Deputeti Vasil Llajo i Intermedicas: QSUT nuk ka mungesa, thjesht kërkon donacione

87
0

Kërkesa e fundit e QSUT-së për donacione gjeti një mbrojtës të vendosur në Komisionin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Deputeti socialist Vasil Llajo u përpoq të bindte se nuk ka asgjë shqetësuese që spitali më i madh në vend kërkon ndihmën e qytetarëve, pasi, sipas tij, donacionet janë një praktikë normale në mbarë botën.

Problemi është se, në përpjekje për ta relativizuar situatën, deputeti arriti të kundërshtojë vetveten brenda pak sekondash. Fillimisht deklaroi se donacionet “nuk tregojnë nevojat”, për të vazhduar menjëherë më pas se një institucion “nxjerr nevojat e veta për t’i plotësuar me donacione”. Pra, nevojat nuk tregohen… përveç rasteve kur duhen treguar që të mbushen me donacione.

Në të vërtetë, askush nuk ka problem me donacionet. Ato janë një formë solidariteti që ekziston kudo. Paradoksi nuk është se një spital pranon ndihmë, por që spitali publik më i madh në vend detyrohet të publikojë një listë me mbi 100 pajisje bazë që i mungojnë, ndërsa buxheti i shtetit gjen miliona euro për prioritete shumë më “urgjente”, si koncertet private.

Një donacion për një aparat të veçantë, për një teknologji të re apo për një projekt kërkimor është krejt normale. Por kur lista përfshin respiratorë, defibrilatorë, monitorë, elektrobisturi, shiringa elektrike dhe dhjetëra pajisje të tjera që duhet të jenë standard minimal në një spital universitar, atëherë problemi nuk quhet më “kulturë donacionesh”. Quhet mungesë investimi publik.

Kur argumentet nisën të shteronin, debati mori një kthesë personale. Deputeti vendosi të kujtonte se gjatë pandemisë kishte bërë donacione për QSUT-në dhe strukturat e emergjencës, duke theksuar se nuk kishte vendosur emrin e tij mbi to, si dëshmi e “thjeshtësisë”.

Askush nuk ka arsye të vërë në dyshim një akt humanizmi. Por historia bëhet disi më ironike kur kujtohet se në të njëjtën periudhë kompania e tij, Intermedica Center, përfitonte kontrata me vlera të konsiderueshme nga sistemi shëndetësor për testimet dhe materialet laboratorike anti-COVID. Kështu, pandemia rezultoi një periudhë ku biznesi dhe bamirësia ecën paralelisht: nga njëra anë milionat e shtetit, nga ana tjetër donacionet që sot përdoren si argument për të bindur publikun se është krejt normale që QSUT të kërkojë sërish ndihmën e qytetarëve./vna