Një vullkan që nuk ka shpërthyer prej qindra mijëra vitesh ka nisur të tregojë shenja të pazakonta aktiviteti, duke ngritur pikëpyetje te shkencëtarët për atë që po ndodh nën sipërfaqe.
Bëhet fjalë për Taftanin, një stratovullkan i largët me lartësi rreth 3.940 metra mbi nivelin e detit, i vendosur pranë kufirit mes Iranit dhe Pakistanit. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Geophysical Research Letters në nëntor 2025, maja e vullkanit u ngrit me rreth 9 centimetra gjatë periudhës korrik 2023 – maj 2024. Ajo që ka habitur studiuesit është fakti se kjo ngritje e terrenit nuk u shoqërua me tërmete, reshje të pazakonta apo shenja të tjera të dukshme që zakonisht paraprijnë ndryshime të tilla.
Shkencëtarët vlerësojnë se deformimi mund të jetë shkaktuar nga rritja e presionit brenda sistemit hidrotermal të Taftanit – një rrjet me ujëra të nxehta dhe gazra që qarkullojnë nën sipërfaqe, në një thellësi prej rreth 490 deri në 630 metra poshtë majës. Ky zbulim e vendos Taftanin në kategorinë e vullkaneve që konsiderohen të fjetura, por ende aktive nga pikëpamja gjeologjike.
Satelitët zbuluan atë që nuk shihej nga toka
Për shkak të vendndodhjes së izoluar në një nga zonat më pak të populluara të Iranit, Taftani nuk ka një rrjet të vazhdueshëm sizmometrash, sensorësh gazi apo stacionesh GPS në terren.
Të dhënat kryesore erdhën nga hapësira përmes teknologjisë InSAR (Radari Interferometrik Sintetik i Aperturës), e cila lejon zbulimin e lëvizjeve shumë të vogla të sipërfaqes së Tokës duke krahasuar imazhe radari të marra nga satelitët në periudha të ndryshme. Studuesit përdorën të dhënat e satelitëve Sentinel-1 të programit evropian Copernicus, të cilët mund të monitorojnë sipërfaqen edhe përmes reve dhe në errësirë. Analiza tregoi se ngritja prej gati 10 centimetrash ishte përqendruar pranë majës së vullkanit dhe kishte mbetur e qëndrueshme gjatë gjithë periudhës së vëzhgimit. Një vullkan me histori të paqartë shpërthimesh
Taftani ka një histori shumë të rrallë aktiviteti të dokumentuar. Ekzistojnë vetëm dy raportime historike për shpërthime të mundshme, por të dyja mbeten të pasigurta.
Në vitin 1902 u raportuan emetime të forta gazrash dhe ndriçim gjatë natës, ndërsa në vitin 1993 u përmend një rrjedhje lave. Megjithatë, analizat e mëvonshme sugjerojnë se ajo mund të ketë qenë squfur i shkrirë dhe jo lavë vullkanike. Ajo që është konfirmuar ndër vite është aktiviteti i fumaroleve – çarje nga të cilat dalin gazra të nxehtë dhe që kanë mbuluar pjesë të majës me squfur dhe argjilë të ndryshuar.
Çfarë po e shkakton ngritjen?
Shkencëtarët kanë dy hipoteza kryesore. Sipas së parës, gazrat nga një sistem magmatik më i thellë mund të jenë grumbulluar në çarjet e shkëmbinjve pranë sipërfaqes, duke ushtruar presion dhe duke ngritur terrenin. Hipoteza e dytë lidhet me një sasi të vogël materiali pjesërisht të shkrirë që mund të ketë çliruar gazra në nivele më të cekëta të sistemit hidrotermal.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk ka prova që magma e re po afrohet drejt sipërfaqes dhe se aktualisht nuk ka shenja për një shpërthim të afërt.
Autori kryesor i studimit, Pablo J. González nga Instituti i Produkteve Natyrore dhe Agrobiologjisë i Këshillit Kombëtar Spanjoll të Kërkimeve, tha se zbulimi nuk duhet të shkaktojë panik, por duhet të shërbejë si një sinjal për autoritetet. “Duhet të lirohet disi në të ardhmen, ose me dhunë ose më qetësisht. Ky studim nuk synon të shkaktojë panik tek njerëzit. Është një thirrje zgjimi për autoritetet në rajon që të caktojnë burime për ta hetuar këtë”, u shpreh ai.
Studimi rekomandon ngritjen e një rrjeti të posaçëm monitorimi në Taftan, me sensorë për gazrat vullkanikë, sizmometra dhe pajisje GPS. Kombinimi i të dhënave tokësore me monitorimin satelitor do t’u lejojë shkencëtarëve të kuptojnë nëse presioni nën vullkan po zvogëlohet apo vazhdon të rritet. Sipas të dhënave të Programit Botëror të Vullkanizmit, rreth 191.700 njerëz jetojnë brenda një rrezeje prej 100 kilometrash nga Taftani, duke e bërë monitorimin e tij një çështje të rëndësishme sigurie.







