Ballina Bota Sulm me thikë në SHBA, autori i krimit: Kisha ndërmend të vrisja...

Sulm me thikë në SHBA, autori i krimit: Kisha ndërmend të vrisja myslimanë

61
0

Një burrë 48-vjeçar është arrestuar në shtetin e Utah, SHBA, pasi dyshohet se goditi disa herë me thikë një burrë mysliman në një qendër tregtare, duke deklaruar më pas se e kishte shënjestruar viktimën për shkak të fesë së tij.

Sipas dokumenteve të gjykatës dhe policisë, i dyshuari, Peter Michael Larsen, u tha hetuesve se “kishte ndërmend të vriste myslimanë” dhe se kishte zgjedhur viktimën me qëllim ta vriste për shkak të besimit të tij fetar.

Ngjarja ndodhi të hënën në Qendrën Tregtare Valley Fair në West Valley City, Utah. Sipas autoriteteve, viktima, e cila punonte në një kioskë, u gjet me plagë të shumta me thikë në trup dhe me hemorragji të rëndë.

Policia tha se sulmuesi iu afrua burrit, e pyeti për emrin dhe fenë e tij, ndërsa kërkoi edhe një shishe ujë. Sipas imamit Shuaib Dean, drejtues i Qendrës Islamike të Utah, sapo viktima u kthye për të marrë ujin, autori nisi ta godiste me thikë.

Kalimtarët ndërhynë menjëherë, duke e rrëzuar autorin në tokë dhe duke e mbajtur të neutralizuar deri në mbërritjen e policisë.

Viktima ndodhet në gjendje kritike në spital. Një mik i tij ka hapur një faqe GoFundMe, ku thuhet se ai është goditur me thikë 15 herë dhe ka nevojë për disa ndërhyrje kirurgjikale.

Ndërkohë, Peter Michael Larsen mbahet në paraburgim dhe po hetohet për tentativë vrasjeje dhe përdorim të një arme të rrezikshme. Ai po merr gjithashtu trajtim për plagët e marra gjatë momentit kur u neutralizua nga kalimtarët.

Ngjarja është dënuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e myslimanëve, përfshirë Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), i cili e cilësoi sulmin si një akt të motivuar nga urrejtja fetare.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, islamofobia në Shtetet e Bashkuara ka shënuar rritje vitet e fundit, e nxitur nga retorika anti-emigracion, ekstremizmi supremacist dhe tensionet e lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme.