Ballina Ekonomia Fitimet e bankave ranë me 13% në maj, por kreditimi dhe depozitat...

Fitimet e bankave ranë me 13% në maj, por kreditimi dhe depozitat vijuan rritjen

60
0

Sektori bankar ka regjistruar një rënie të fitimit gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa kreditimi dhe depozitat vijuan të zgjerohen. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), bazuar në statistikat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se fitimi neto kumulativ i sistemit bankar në fund të muajit maj zbriti në 12.17 miliardë lekë, nga 13.98 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej rreth 13%.

Rënia e fitimeve është reflektuar edhe në treguesit e përfitueshmërisë së bankave. Kthimi mbi kapitalin (ROE) zbriti në 12.41%, nga 15.35% në maj 2025, ndërsa kthimi mbi aktivet (ROA) ra në 1.27%, krahasuar me 1.58% një vit më parë. Këta tregues sinjalizojnë se bankat po gjenerojnë më pak fitim për çdo njësi kapitali dhe aktivesh, edhe pse aktiviteti i tyre vazhdon të rritet.

Nga ana tjetër, bilancet e sektorit bankar kanë vijuar zgjerimin. Aktivet totale arritën në 2.34 trilionë lekë, me një rritje prej rreth 9.8% krahasuar me majin e vitit 2025, kur ishin 2.14 trilionë lekë.

Rritja më e fortë është shënuar në kreditim. Portofoli i kredive u zgjerua në 986.2 miliardë lekë, nga 882.1 miliardë lekë një vit më parë, ose rreth 11.8% më shumë. Kreditë për individë u rritën me afro 17.9%, duke arritur në 397.2 miliardë lekë, ndërsa kreditë për bizneset u zgjeruan me rreth 8%, në 589 miliardë lekë. Kjo tregon se kredidhënia për familjet po vijon të jetë segmenti më dinamik i tregut bankar.

Edhe depozitat kanë vijuar rritjen. Në fund të majit ato arritën në 1.89 trilionë lekë, nga 1.73 trilionë lekë një vit më parë, duke u rritur me rreth 9.8%. Depozitat e individëve u zgjeruan me rreth 8.4%, në 1.48 trilionë lekë, ndërsa ato të bizneseve u rritën me afro 15.1%, duke arritur në 417.3 miliardë lekë.

Në të njëjtën kohë, sistemi bankar ka vijuar të forcojë bazën e kapitalit. Kapitali aksioner u rrit në 234.8 miliardë lekë, nga 218.6 miliardë lekë një vit më parë, ndërsa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit u përmirësua në 20.44%, nga 19.50%, duke mbetur ndjeshëm mbi kërkesat rregullatore.

Sa i përket cilësisë së portofolit të kredisë. raporti i kredive me probleme zbriti në 3.77%, nga 4.12% në maj të vitit të kaluar, duke konfirmuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së aktiveve bankare.

Të dhënat tregojnë se sektori bankar vijon të zgjerojë kreditimin, depozitat dhe kapitalizimin, ndërsa përballet me një ngadalësim të ritmit të fitimeve dhe të treguesve të përfitueshmërisë, në një periudhë kur normalizimi i normave të interesit po ushtron presion mbi marzhet e bankave. /ekofin.al