Ballina Aktualitet OSSH i jep tenderin 5 milionë euro kompanisë së ish-deputetit socialist Laert...

OSSH i jep tenderin 5 milionë euro kompanisë së ish-deputetit socialist Laert Duraj

110
0

Drejtoria e Tensionit të Lartë pranë OSSH ka shpallur fituesin e një tenderi me vlerë miliona euro në mungesë të plotë të konkurrencës. Procedura e prokurimit, e finalizuar me vetëm një ofertues, i ka kaluar kompanisë “LA-OR”, në pronësi të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Laert Duraj. Ky zhvillim ngre sërish pikëpyetje mbi transparencën dhe mënyrën se si menaxhohen fondet publike në sektorin energjetikës.

Tenderi në fjalë, i shpallur më 5 qershor nga institucioni i drejtuar nga Olsi Ngjela, ka si objekt fuqizimin dhe rikonstruksionin e Nënstacionit elektrik 110/20/6kV “Shkodra-1”. Me një fond limit të konsiderueshëm prej 479.6 milionë lekësh, rreth 5.12 milionë euro, kontrata parashikon një afat ekzekutimi prej 18 muajsh nga momenti i nënshkrimit. Sipas kushteve të përcaktuara në dokumente, fituesi do ta realizojë projektin sipas formulës “çelësa në dorë”, që nënkupton marrjen e përgjegjësisë së plotë që nga projektimi inxhinierik e deri te dorëzimi final i punimeve.

111.PNG

Ajo që spikat më shumë në këtë procedurë është pikërisht mungesa e garës. Kompania “LA-OR” ka qenë e vetmja pjesëmarrëse në këtë prokurim, duke paraqitur një ofertë prej 97.7% të fondit limit. Në vend që të kërkonte një garë reale për një tender që është dukshëm mbi kufirin e lartë monetar, Drejtoria e Tensionit të Lartë i ka rënë shkurt procedurave duke shpallur menjëherë fituese kompaninë e ish-deputetit socialist.

2222.PNG

Sipas standardeve të prokurimit, ofertat që u afrohen kaq shumë tavanit të buxhetit të vënë në dispozicion dhe dhënia e tyre në mungesë të garës ngrenë dyshime për tendera të porositur. Por kjo mbetet për t’u verifikuar nga institucionet e drejtësisë.

Sidomos kur pjesë e këtyre prokurimeve janë edhe ish-zyrtarë të qeverisë.Pronari i kompanisë përfituese, Laert Duraj, nuk është një emër i panjohur për opinionin publik dhe administratën. Ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2021 dhe më herët ka mbajtur pozicione kyçe, duke përfshirë atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare. Gjatë kohës kur ai drejtonte këtë institucion, mediat investigative kanë denoncuar disa herë dyshime për abuzime me procedurat e prokurimit, duke vënë në dyshim transparencën e tyre.

Pas përfundimit të mandateve dhe angazhimeve në administratën shtetërore, Duraj u rikthye në menaxhimin e kompanisë së tij “LA-OR”, e cila ka siguruar kontrata të shumta publike. Kompania rezulton si një ndër përfitueset më të mëdha të fondeve buxhetore në sektorin e saj, me një rritje të ndjeshme të xhiros veçanërisht gjatë kohës kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë drejtohej nga Belinda Balluku.