Ballina Rajoni Mitsotakis sulmon opozitën dhe Prokurorinë Europiane për hetimet: Kush do t’u kërkojë...

Mitsotakis sulmon opozitën dhe Prokurorinë Europiane për hetimet: Kush do t’u kërkojë falje ministrave tanë?

84
0

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka reaguar ashpër lidhur me çështjen e OPEKEPE, duke sulmuar opozitën dhe duke drejtuar kritika edhe ndaj Zyrës së Prokurorit Publik Europian (EPPO), pas zhvillimeve të fundit në hetim.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Politikave Ekonomike Qeveritare, Mitsotakis deklaroi se njoftimi i fundit i EPPO-së “rikthen të vërtetën” mbi çështjen dhe hedh poshtë, sipas tij, akuzat që ishin ngritur ndaj përfaqësuesve të qeverisë.
“Njoftimi i Zyrës së Prokurorit Publik Europian nxjerr në pah dimensionin real dhe të vërtetën e plotë rreth OPEKEPE”, u shpreh kryeministri grek.

Sipas Mitsotakis, 13 ministra dhe deputetë të partisë në pushtet, Demokracia e Re, ishin vënë në shënjestër gjatë hetimeve. Ai tha se për nëntë prej tyre është konfirmuar se janë plotësisht të pafajshëm, ndërsa katër të tjerë do të hetohen më tej vetëm për kundërvajtje të lehta.

Kryeministri kujtoi se kishte kërkuar dorëheqjen e tre ministrave për arsye të përgjegjësisë politike, por theksoi se ata u shpallën fajtorë në opinionin publik përpara se drejtësia të jepte verdiktin. “Ndaj politikanëve të ndershëm u shpif për javë të tëra. Sot shtroj pyetjen: kush do t’u kërkojë falje për ato akuza?”, deklaroi Mitsotakis.

Ai akuzoi opozitën se nuk respektoi parimin e prezumimit të pafajësisë dhe e përdori çështjen për përfitime politike. Në të njëjtën kohë, Mitsotakis kritikoi edhe Zyrën e Prokurorit Publik Europian, duke pretenduar se institucioni “duket se është përfshirë në antagonizma të brendshëm politikë”.

“Kjo ka të bëjë si me opozitën në vendin tonë, e cila nuk respekton prezumimin e pafajësisë, por, për fat të keq, edhe me Zyrën e Prokurorit Publik Europian, e cila duket se është e përfshirë në antagonizëm të brendshëm partiak”, përfundoi kryeministri grek.