Ballina Politika “Kuvendi refuzoi t’i heqë imunitetin Ballukut, rrezik për pandëshkueshmëri!”, Bardhi reagon pas...

“Kuvendi refuzoi t’i heqë imunitetin Ballukut, rrezik për pandëshkueshmëri!”, Bardhi reagon pas raportit të KE: Ja çfarë duhet të bëjë SPAK

94
0

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke akuzuar SPAK-un se po aplikon standarde të dyfishta në çështjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi u ndal te pjesa e raportit të KE-së ku ngrihen shqetësime për refuzimin nga Kuvendi të kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeteje, duke e lidhur me parimet e kontrollit dhe balancimit, si dhe barazinë para ligjit. Sipas Bardhit, ndërsa Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për moslejimin e procedimit ndaj Ballukut, “të vetmit që nuk shfaqin shqetësim janë prokurorët e SPAK-ut”.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së pretendon se Prokuroria e Posaçme po zbaton dy standarde ndaj Belinda Ballukut, pasi, sipas tij, pavarësisht se SPAK ka bërë publike rëndimin e pozitës së saj penale me dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po kërkon ndryshimin e masës së sigurisë. Çështja ndaj Ballukut vijon të jetë në qendër të debatit politik, ndërsa opozita ka kërkuar vazhdimisht që të lejohet procedimi i plotë penal ndaj saj.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMEMTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Komisioni Europian, në raportin e publikuar dje, shprehet qartë se: “Refuzimi nga Parlamenti për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit. Në mars të vitit 2026, Parlamenti rrëzoi një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit.”

Por, ndërsa Komisioni Europian shpreh shqetësim për moslejimin e arrestimit, duke nënvizuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të vetmit që nuk shfaqin shqetësim janë prokurorët e SPAK-ut, të cilët po bëhen pjesë e çimentimit të pandëshkueshmërisë në këtë rast. SPAK-u, prej disa javësh, po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK-u ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit.

SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku: të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë, t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.