Pablo Picasso krijoi në vitin 1907 një nga veprat më të famshme dhe më të debatueshme të historisë së artit: “Zonjushet e Avinjonit” (Les Demoiselles d’Avignon).
Piktura, e cila në fillim shkaktoi tronditje dhe refuzim nga artistët e kohës, më vonë u konsiderua një vepër themelore, që ndryshoi rrjedhën e artit modern, shkruan BBC.
Kur Picasso ua tregoi për herë të parë disa miqve dhe artistëve në studion e tij në Paris, reagimet ishin kryesisht negative.
Piktori Henri Matisse thuhet se i quajti figurat femërore “të shëmtuara”, ndërsa Georges Braque e krahasoi përvojën e shikimit të saj me “pirjen e benzinës”.
Piktura nuk u ekspozua publikisht deri në vitin 1916.
Sot ajo konsiderohet një nga veprat që shënuan lindjen e kubizmit, një rrymë artistike ku format tradicionale thyhen dhe njerëzit apo objektet paraqiten përmes formave gjeometrike dhe këndvështrimeve të ndryshme.
Një revolucion në mënyrën e paraqitjes së trupit dhe hapësirës
Vepra paraqet pesë gra nudo në një bordello në Barcelonë.
Trupat e tyre janë të deformuar, me forma të thyera dhe fytyra që ngjajnë me maska.
Ndryshe nga pikturat tradicionale, ku njerëzit paraqiteshin në mënyrë realiste, Picasso zgjodhi një mënyrë më abstrakte dhe më të ashpër.
Sipas kuratorëve të Muzeut Picasso në Paris, kjo ishte një kthesë e madhe në art.
Picasso nuk ndryshoi vetëm një element të pikturës, por mënyrën se si artistët mendonin për trupin, hapësirën dhe realitetin.
Ndikimi i artit afrikan
Një nga aspektet më të debatuara të kësaj vepre, është ndikimi i artit afrikan.
Para se të krijonte pikturën, Picasso ishte interesuar shumë për maskat dhe skulpturat afrikane, të cilat i kishte parë në muze dhe koleksione në Paris.
Fytyrat e disa grave në pikturë, veçanërisht ato që duken si maska, janë ndikuar nga ky stil: forma më të thjeshta, më të fuqishme dhe më pak realiste.
Megjithatë, Picasso shpesh e mohoi këtë ndikim.
Ai madje deklaroi në vitin 1920 se “nuk kishte dëgjuar kurrë” për artin afrikan, edhe pse studiuesit mendojnë se ai ishte frymëzuar prej tij.
Kjo ka sjellë kritika për përvetësim kulturor, pasi Picasso përfitoi artistikisht nga kultura afrikane, por nuk e pranoi plotësisht rolin e saj.
Një version i ri i pikturës nga Henry Taylor
Më shumë se 100 vite më vonë, artisti amerikan Henry Taylor e rikrijoi këtë vepër nga këndvështrimi i tij.
Në pikturën e tij “From Congo to the Capital and Black Again” (2007), ai ruajti strukturën bazë të veprës së Picasso, por figurat femërore i paraqiti me ngjyrë të zezë, duke e bërë më të dukshëm lidhjen me kulturën afrikane.
Taylor, i njohur për trajtimin e jetës dhe përvojave të komuniteteve me ngjyrë, përdori këtë vepër për të ngritur pyetje mbi racën, identitetin dhe mënyrën se si historia e artit ka trajtuar kultura të ndryshme.
Debati për mënyrën si Picasso paraqiti gratë
Piktura ka shkaktuar gjithashtu debate për mënyrën se si Picasso i paraqiti gratë.
Disa kritikë thonë se trupat e copëzuar dhe format agresive lidhen me marrëdhënien e ndërlikuar që artisti kishte me gratë.
Në versionin e Henry Taylor, figurat janë ende të deformuara, por duken më pak kërcënuese dhe më shumë si individë me identitet të tyre.
Nga refuzimi te kryevepra
Edhe pse fillimisht u konsiderua tronditëse dhe madje e shëmtuar, me kalimin e viteve “Les Demoiselles d’Avignon” u kthye në një nga pikturat më të rëndësishme të shekullit XX.
Në vitin 1939, Muzeu Modern u Artit e bleu veprën dhe ajo sot konsiderohet një nga thesaret e artit modern.
Mbi një shekull pas krijimit, piktura vazhdon të ngjallë debate, pasi prek tema si ndryshimi artistik, ndikimi kulturor, përfaqësimi i grave dhe mënyra se si historia e artit përcakton se cilat vepra bëhen të pavdekshme.







