Gazetarja Anduena Llabani ka folur në një studio televizive lidhur me vjedhjen në Postën e Durrësit dhe hetimet që janë hapur për ish-drejtoreshën e saj.
Llabani thekson se ish-drejtoresha shihej si një person me probleme në menaxhimin e detyrës, si dhe njihej si frekuentuese e kazinove.
Ajo shton se kjo çështje mund të mos jetë e kufizuar vetëm te tre personat që ndodhen nën masa arresti, por tregon elemente të një skeme më të gjerë organizative.
“Kjo është një skemë e mirëfilltë më e gjerë, pra që shkon përtej këtyre tre grave. Jam e interesuar të pyes tek njerëz që kanë një lloj influence në qytetin e Durrësit dhe këtë drejtoreshën e shikonin si njeri me probleme në mënyrën se si e ka menaxhuar qoftë detyrën e saj në drejtimin e postës, por është e njohur për ta që ajo ishte një frekuentuese kazinosh.
Kështu që unë kam parë në karrierën time video të tilla ku hyjnë me maska dhe vjedhin, por nuk kisha parë drejtoreshë që vjedh brenda me sekretaren e vet.
Pra kemi një ndryshim të aktorëve në ngjarje të tilla dhe sigurisht që, aq më tepër, deklaratat e saj të dhëna përpara autoriteteve të drejtësisë që “mua nuk ma ndalon askush këtë gjë”, tregon që pas saj ka njerëz të tjerë që duket se kanë një lloj fuqie dhe një lloj atributi si një grup të strukturuar më shumë sesa veprime individuale të të dyjave”.
Në përfundim gazetarja tha se Prokuroria e Durrësit po verifikon nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme apo të padeklaruara më parë.
“Unë di që është në verifikim nga ana e Prokurorisë së Durrësit për të parë nëse ka patur raste të tjera të evidentuara, ose të padeklaruara, ose të padenoncuara nga njerëzit. Por është një gjë që në vite, edhe në profesion tjetër, kjo zonja e ka bërë”, tha ajo.







