Deputetja e dalë nga listat e PS-së në zgjedhjet e 11 Majit 2025, por që tani është e pavarur në parlament, Marjana Koçeku ka reaguar ndaj fjalimit të djeshëm të Edi Ramës.
Koçeku ka ironizuar kreun e socialistëve Edi Rama, për librin e tij ‘Besa’.
Reagimi i Marjana Koçekut:
Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa.
Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrueme, ajo asht kontratë thellësisht natyrore.
T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besë tjetrit, tue ia pre besën vendit ku jeton.
Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën.
Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë. Se këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat me mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet sesi përfundojnë.
Së treti, unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit.
Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe njiherë njerëz.
Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!







