Një festival i madh ushqimi në Seattle u kthye në skenë tragjedie mbrëmjen e së dielës, pasi të shtënat me armë zjarri lanë dy persona të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 2-vjeçar. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Qendrën e Seattle-it, ku po zhvillohej festivali tradicional tre-ditor “Bite of Seattle”, që çdo vit mbledh qindra mijëra vizitorë.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa katër të plagosur u dërguan në spital. Një grua mori ndihmë mjekësore në vend, por refuzoi transportimin në spital.
Qendra Mjekësore Harborview bëri të ditur se të gjithë të plagosurit kishin marrë plagë nga armët e zjarrit. Një grua ndodhet në gjendje kritike, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime në krah, këmbë, bark dhe pjesën e poshtme të këmbës.
Policia e Seattle-it arrestoi një të dyshuar për ngjarjen. Kryebashkiakja Katie Wilson konfirmoi se një person është në paraburgim, ndërsa hetimet për motivin e sulmit vijojnë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur vizitorët vrapojnë të tmerruar për t’u larguar nga zona sapo dëgjohen të shtënat. Dëshmitarët thanë se dëgjuan disa breshëri armësh, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, ambulancat, agjentë të FBI-së dhe forca të tjera të sigurisë.
Kryebashkiakja Wilson e cilësoi ngjarjen si “një akt të tmerrshëm dhune”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.
Për shkak të ngjarjes, linja e Monorail-it të Seattle-it pezulloi shërbimin për pjesën e mbetur të ditës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën deri në përfundimin e hetimeve.
Sipas të dhënave të Arkivit të Dhunës me Armë, kjo është një nga të paktën 271 ngjarjet me të shtëna masive të regjistruara në Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti.







