Nga Klevis Elezi
Shteti nuk mbahet vetëm me turizëm. Asnjë ekonomi serioze në botë nuk mbështetet vetëm te hotelet, shezlongët dhe sezoni veror. Turizmi është një sektor i rëndësishëm, por nuk mund të jetë shtylla e vetme e zhvillimit ekonomik.
Një shtet bëhet i fortë kur prodhon. Kur ka bujqësi që ushqen vendin, industri që përpunon lëndën e parë, fabrika që punësojnë të rinjtë, uzina që krijojnë vlerë të shtuar, miniera që shfrytëzohen me përgjegjësi në interes të ekonomisë kombëtare dhe eksporte që sjellin valutë. Këto janë themelet e një ekonomie të qëndrueshme.
Kur fshatari falimenton, nuk ka rëndësi sa turistë zbresin në aeroport. Kur fabrikat mbyllen, nuk e shpëtojnë ekonominë disa muaj sezoni. Kur të rinjtë largohen sepse nuk gjejnë punë me paga dinjitoze, nuk mund të quhet sukses fakti që plazhet mbushen për disa javë në verë.
Sot po na shitet një iluzion: sikur turizmi është zgjidhja për çdo problem ekonomik. Por një vend që jeton vetëm nga sezoni është një vend që jeton në pasiguri. Mjafton një krizë ndërkombëtare, një pandemi, një konflikt rajonal apo një sezon i dobët dhe e gjithë skema bie si kështjellë prej rëre.
Shqipërisë nuk i duhet një ekonomi fasade. I duhet një ekonomi prodhuese. I duhet një strategji kombëtare që rikthen në këmbë bujqësinë, ringre industrinë, nxit investimet në fabrikat e përpunimit, zhvillon sektorin minerar me transparencë dhe krijon vende pune që nuk varen nga tre muaj verë.
Një qeveri që flet vetëm për turistët, por harron fermerin, minatorin, punëtorin e fabrikës dhe sipërmarrësin prodhues, nuk po ndërton ekonomi. Po ndërton propagandë.
Shteti nuk matet me numrin e selfie-ve të turistëve. Shteti matet me atë që prodhon, me atë që eksporton, me vendet e punës që krijon dhe me dinjitetin ekonomik që u garanton qytetarëve të vet.







