Ballina Kosovë Raporti për krimet e luftës, Kurti: Ky raport është dëshmi institucionale e...

Raporti për krimet e luftës, Kurti: Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë

64
0

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e raportit për krimet e luftës.

Përpara të pranishmëve, Kurti tha se gjetjet e këtij raporti janë jetike për dokumentimin e krimeve që Serbia kreu në Kosovë, në luftën e fundshekullit të kaluar.

“Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë. Raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori që nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi. Për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999,  janë dokumentuar gjithsej 12,230 viktima të luftës në Kosovë. Secili numër na flet për të dashurit tonë që na u vranë, familjet që u shkatërruan dhe mungesën e mallin që ndjehet edhe sot” tha Kurti.

Kryeministri në detyrë thekson se sa e rëndë është pesha e krimeve serbe, pasi ato u kryen edhe ndaj fëmijëve.

“Veçanërisht e rëndë është pesha e krimeve të kryera ndaj fëmijëve. Raporti dokumenton se në grupmoshën 0–17 vjeç janë:  1,047 fëmijë të vrarë, 94 kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa ende nuk dihet për fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë.

Vrasja e mbi një mijë fëmijëve, përtej së qeni statistikë tragjike, është plagë e thellë e shoqërisë sonë. Është akuzë e përhershme kundër barbarisë së luftës dhe detyrim për shtetin tonë, që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të kërkohet dhe kujtesa të ruhet” shtoi Kurti.

Kurti deklaroi se gjatë muajve mars-qershor u vranë 9,948 njerëz, që përbëjnë rreth 81.3% të të gjitha viktimave të dokumentuara në këtë raport (12,230).

Sipas tij, kjo dëshmon për tmerrin që përjetoi popullsia civile gjatë fazës kulmore të luftës.

“Lista është preliminare, por nuk nënkupton se puna është e papërfunduar. Do të thotë se instituti do të vazhdojë ta përditësojë sa herë që sigurohen dokumente ose dëshmi të reja. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar databazë institucionale që i reziston kohës dhe u shërben brezave që vijnë.

Prandaj, dua t’u bëj thirrje familjeve të viktimave, institucioneve publike, organizatave dhe çdo qytetari që posedon dokumente ose informacione relevante, të bashkëpunojnë me institutin. Çdo informacion i ri do të trajtohet me seriozitet dhe sipas metodologjisë së njëjtë profesionale.

Sepse pa dokumentim nuk ka kujtesë. Pa kujtesë nuk ka drejtësi. Dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme” shtoi ai.

Kurti adresoi edhe zhvillimin e djeshëm në Zubin-Potok, ku nisën gërmimet për një varrezë masive.

“Derisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve tona, moszbatimi nga Serbia i Deklaratës së Brukselit për të Zhdukurit me Dhunë, e dakorduar më 2 maj 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i ikë përgjegjësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë luftës së fundit. Andaj, e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë që, mes tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 e Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të kemi informacione për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, tha Kurti.

Raporti u përgatit nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.