Ballina Rajoni Greqi/ Zjarri del jashtë kontrollit në Paros, evakuohen banorët dhe turistët në...

Greqi/ Zjarri del jashtë kontrollit në Paros, evakuohen banorët dhe turistët në 10 zona

83
0

Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të përfshijë ishullin grek të Parosit për të dytën ditë radhazi, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve dhe turistëve në disa zona. Erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe duke mbajtur situatën kritike.

Flakët shpërthyen mesditën e së martës në zonën Kampi, pranë vendgrumbullimit të mbetjeve të ishullit, ku fillimisht u dogjën mbeturina dhe bimësi e ulët.

Më pas zjarri u përhap me shpejtësi në sipërfaqe me bar të thatë, toka bujqësore dhe zona të vështira për t’u arritur.

Megjithëse pasditen e së martës situata ishte vënë pjesërisht nën kontroll, ndërprerja e operacioneve ajrore gjatë natës bëri që vatrat të riaktivizoheshin. Flakët avancuan drejt zonave Agkairia dhe Trypiti, ndërsa një tjetër vatër u raportua pranë plazhit Faragas.

Autoritetet kanë dërguar katër mesazhe emergjence për evakuimin e banorëve dhe vizitorëve në 10 zona të ndryshme të ishullit, ndërsa shqetësimi kryesor mbeten erërat e forta veriore, që përhapin vazhdimisht prushin dhe krijojnë vatra të reja.

Nga zjarri janë djegur sipërfaqe të mëdha në kodrat e Apianes dhe përgjatë rrugës që të çon në Manastirin e Agioi Theodoroi. Në pjesën jugore të ishullit janë regjistruar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas autoriteteve vendore, disa banorë refuzuan fillimisht të largoheshin, pasi nuk donin të braktisnin kafshët e tyre.

Kaos nga moti i keq në Greqi! Mbi 100 mijë rrufe, stuhi, tornado dhe përmbytje në disa rajone
Deri tani raportohet se të paktën dy ferma blegtorale janë shkatërruar, ndërsa bilanci i plotë i dëmeve ende nuk është përcaktuar.

Në terren janë angazhuar 66 zjarrfikës, katër ekipe të njësive speciale pyjore dhe 16 mjete zjarrfikëse. Nga ajri po operojnë dy avionë dhe pesë helikopterë, ndërsa në ndihmë janë dërguar edhe forca shtesë nga Atika, Sirosi, Naksosi dhe Pireu. Operacionit i janë bashkuar gjithashtu vullnetarë, autobote dhe mjete të rënda të Bashkisë së Parosit.

Situata mbetet e vështirë pasi zjarri po digjet në gryka dhe zona të paarritshme, ndërsa erërat me intensitet deri në 7-8 ballë Beaufort vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve. Për këtë arsye, Parosi mbetet në nivel të lartë rreziku për zjarre pyjore.