Ballina Bota Kush është Daniel Siad, ‘rekrutuesi’ i modeleve për Epstein që akuzohet për...

Kush është Daniel Siad, ‘rekrutuesi’ i modeleve për Epstein që akuzohet për përdhunime – Rrëfimet tronditëse të ‘viktimave’ të abuzimit

67
0

Disa gra që pretendojnë se janë përdhunuar ose trafikuar nga Daniel Siad, rekrutuesi franko-suedez i modeleve dhe bashkëpunëtor i financierit Jeffrey Epstein, akuzojnë autoritetet franceze për dështim në hetimin e çështjes.

Daniel Siad, 69 vjeç, u gjet i vdekur muajin e kaluar në apartamentin e tij në Colombes, pranë Parisit, ndërsa ndaj tij rëndonin akuza të shumta për përdhunim dhe trafikim njerëzor.

Një nga viktimat, Ebba Karlsson, ish-modele suedeze, deklaroi se kishte denoncuar Siad për përdhunim dhe trafikim njerëzor, por ai nuk u mor kurrë në pyetje nga policia.

“Na thanë për muaj të tërë se do të arrestohej, por kjo nuk ndodhi kurrë. Tani nuk do të marrim më përgjigje për atë që ndodhi,” tha ajo.

Karlsson rrëfen se e takoi Siadin në vitin 1990 në Stokholm, kur ai iu prezantua si punonjës mode dhe i premtoi një sesion fotografik në Monako.

Sipas saj, puna nuk ekzistonte. Në vend të saj, ai e çoi në një vilë pranë Kanës, ku pretendon se e përdhunoi, përpara se ta transportonte në Paris, prej nga ajo arriti të arratisej.

Ajo tha se për vite me radhë nuk mundi ta denonconte, pasi e njihte vetëm me emrin e rremë “Daniel Goldberg”. Identitetin e tij të vërtetë e mësoi vetëm pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi miliona dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein.

Dokumentet e publikuara tregojnë se emri i Daniel Siad shfaqet në më shumë se 2 mijë dosje që lidhen me Epstein.

Sipas tyre, ai rekrutonte vajza të reja nga vende të ndryshme të Europës dhe i dërgonte te Epstein, duke i dërguar fotografi dhe të dhëna personale me email.

Në këmbim, Epstein i transferonte para në llogarinë bankare të Siadit dhe mbulonte shpenzimet e udhëtimeve të tij në vende si Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke.

Disa gra të tjera kanë dëshmuar se Siad i bindi të udhëtonin në Nju Jork me premtimin për kontrata modelingu.

Një modele franceze tregoi se pasi mbërriti në SHBA, u dërgua në apartamentin e Jeffrey Epstein, i cili i mori pasaportën dhe i kërkoi të zhvishej me pretendimin se po vlerësonte trupin e saj për agjenci modelingu. Ajo arriti të largohej pasi rimori dokumentet.

Një tjetër grua deklaroi se Siad e prezantoi me Epstein në Paris në vitin 2013. Më pas, sipas saj, ajo u bë viktimë e abuzimeve seksuale për gjashtë vite, duke udhëtuar me të edhe në ishullin privat të Epstein.

Avokatët e viktimave po përgatisin një padi civile kundër shtetit francez, duke argumentuar se autoritetet nuk vepruan pavarësisht denoncimeve dhe provave të shumta.

Sipas tyre, mosmarrja në pyetje e Daniel Siad i privoi hetimet nga informacione të rëndësishme për rrjetin e trafikimit.

Nga ana e saj, Prokuroria franceze deklaroi se hetimi për rrjetin francez të Jeffrey Epstein do të vazhdojë, edhe pse procedimi penal ndaj Daniel Siad përfundoi pas vdekjes së tij.

Viktimat këmbëngulin se drejtësia nuk u vu kurrë në vend.

“Kishte disa gra që e akuzonin për përdhunim, por ai nuk u mor asnjëherë në pyetje. Ne ndihemi të tradhtuara”, tha Karlsson.