Ballina Sport Federata Angleze tërheq mbështetjen për Infantinon, shtohet presioni ndaj presidentit të FIFA-s

Federata Angleze tërheq mbështetjen për Infantinon, shtohet presioni ndaj presidentit të FIFA-s

62
0

Federata Angleze e Futbollit (FA) do të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për rizgjedhjen e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s, duke shtuar presionin ndaj presidentit, i cili po përballet me një krizë të thellë besimi brenda futbollit ndërkombëtar.

Sipas raportimeve, FA do t’i dërgojë një letër zyrtare FIFA-s për ta njoftuar se nuk e mbështet më kandidaturën e Infantinos për një mandat të katërt, ndonëse më parë kishte shprehur mbështetjen e saj.

Ky vendim vjen pasi Federata Uellsiane e Futbollit tërhoqi mbështetjen për Infantinon, ndërsa pritet që edhe federata të tjera evropiane të ndjekin të njëjtën rrugë, në përpjekje për ta detyruar presidentin e FIFA-s të japë dorëheqjen.

Javën e kaluar, Federata Finlandeze e Futbollit u bë vendi i parë që tërhoqi zyrtarisht mbështetjen për Infantinon.

Sipas gazetës The Guardian, federatat anëtare të UEFA-s po përgatitin një tërheqje masive të letrave të mbështetjes për presidentin e FIFA-s. Deri para zbulimit të planit të tij për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave tregtare të Kupës së Botës, 50 nga 55 federatat evropiane kishin konfirmuar mbështetjen për të.

Federata Angleze kishte qenë deri tani një nga mbështetëset e Infantinos. Nëse ai mbetet në detyrë, do të drejtojë Kongresin e Jashtëzakonshëm të FIFA-s në muajin nëntor, ku pritet të konfirmohet organizimi i Kupës së Botës për Femra 2035 në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, FA ka qenë vazhdimisht kritike ndaj projektit të dështuar FIFA Forward Enterprise, si në deklaratat publike ashtu edhe në komunikimet private me FIFA-n.

Të shtunën, Federata Angleze kërkoi një “rishikim të plotë dhe të thelluar të drejtimit dhe qeverisjes së FIFA-s”, ndërsa vendimi për të tërhequr mbështetjen për Infantinon konsiderohet një përshkallëzim i mëtejshëm i qëndrimit të saj.

Edhe pse FA ka vendosur të veprojë me vendosmëri, nuk pritet ta bëjë publike letrën e tërheqjes së mbështetjes. Sipas burimeve, kjo lidhet me bindjen se nisma për largimin e Infantinos duhet të marrë mbështetje edhe jashtë Evropës.

Ndërsa krijimi i një fronti të bashkuar evropian duket i realizueshëm, e ardhmja e Infantinos mund të varet nga qëndrimi që do të mbajnë federatat e Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC) dhe të Concacaf, ku opinionet për drejtimin e tij mbeten më të ndara.