Aktivisti Arben Kola njoftoi sot nga sheshi i protestës së 65-të para kryeministrisë, se më 15 dhe 16 gusht Diaspora do mblidhej në Tiranë për një protestë kombëtare madhështore.
Ai tha se për 65 ditë është shfaqur rezistencë e jashtëzakonshme, vetëdije dhe ndërgjegje shqiptare.
“65 netë vetëdije kombëtare dhe rezistencë, 65 netë qëndresë qytetare dhe ndërgjegje shqiptare. Pa mërgatën nuk ka Shqipëri, ndaj mërgata është zemra e kësaj proteste, mërgata ka qenë dhe është zemra e kombëtarisë dhe shqiptarisë”, tha Kola.
Më tej ai ndau njoftimin:
“Më 15 dhe 16 gusht mërgata shqiptare do të jetë në Tiranë për protestën kombëtare”.
Kola akuzoi qeverinë si shkaktare të rënies së turizmit dhe jo protestuesit. Ai nënvizoi se skandalet qeveritare, korrupsioni, krimi dhe rënia e valutave ishin shkaqet.
“Kush po i kthen turistat, ata që qëlluan nga jahti në Palasë dhe Policia s’i kap dot, apo protetsa e bukur këtu? Kush i largon turistat, ato skafet që vrasin fëmijët në bregdet si atë fëmijën para katër vitesh apo ne qytetarët këtu. Kush i largon turistat, çmimet e larta, nafta e shtrenjtë, rënia drastike e euros, rrogat e kamerierëve, mjekëve, mësuesve. Turizmi po falimenton si pasojë e rënies së valutave të huaja, çmimet duhet të ishin më të lira, por ato sa vjen e shtrenjtohen”, tha Kola.







