Ballina Sport Infantino kërkon falje, por mbetet president i FIFA-s

Infantino kërkon falje, por mbetet president i FIFA-s

103
0

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje për “gabimet” e bëra në lidhje me planin kontrovers për shitjen e aksioneve të disa kompeticioneve të rëndësishme te investitorë privatë.

Megjithatë, ai do të vazhdojë të drejtojë organizatën pasi mori mbështetjen e drejtuesve të lartë të FIFA-s gjatë një takimi të zhvilluar në Rabat të Marokut.

Infantino mblodhi anëtarët e bordit drejtues në zyrën afrikane të FIFA-s, pas kritikave të forta që pasuan propozimin për krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise (FFE). Përmes këtij projekti synohej të tërhiqeshin investime private në turnetë më të rëndësishëm të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, shkruan BBC.v.

Në një letër të nënshkruar nga Infantino dhe sekretari i përgjithshëm Mattias Grafström, drejtuar zv/presidentëve, Këshillit të FIFA-s dhe 211 federatave anëtare, të dy kërkuan “sinqerisht falje” për mënyrën se si u menaxhua procesi dhe premtuan se gabime të tilla nuk do të përsëriten.

Pas mbledhjes, bordi drejtues i FIFA-s rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Infantinon, pavarësisht kritikave të shumta që ai ka marrë javët e fundit.

UEFA ishte ndër kundërshtarët më të ashpër të projektit, duke deklaruar se ka humbur besimin te Infantino dhe duke e cilësuar propozimin si një “marrëveshje të errët dhe të papranueshme”. Kritika pati edhe nga brenda FIFA-s, ku vetë sekretari i përgjithshëm Grafstrom e përshkroi situatën si “një seri ngjarjesh të trishtueshme dhe të dënueshme”.

Sipas planit të propozuar, FIFA kishte ofruar nga 40 milionë dollarë për secilën federatë anëtare në këmbim të mbështetjes për krijimin e FFE-së.

Në deklaratën zyrtare, FIFA pranoi se u bënë gabime gjatë procesit dhe se federatat anëtare nuk duhej të ndiheshin të përjashtuara nga vendimmarrja. Organizata pranoi gjithashtu se pati gabime edhe pas publikimit të dokumenteve në media.

Megjithatë, FIFA theksoi se në të ardhmen “nuk do të tolerojë sulme ndaj integritetit, qeverisjes së mirë dhe procedurave të saj”, duke paralajmëruar se do të marrë masa për të mbrojtur reputacionin e organizatës.