Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e tenderit me vlerë 15 milionë euro për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, ndërsa i bën thirrje SPAK që të hetojë këtë proces.
Në një dalje për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli tha se kompania Air Tractor Europe S.L. është e përfshirë në skandale korrupsioni në Spanjë.
Vangjeli, e cila ka publikuar edhe dokumentet thotë se “vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian”.
Deklarata
Publikimi në media i dokumenteve dhe informacioneve mbi tenderin prej 15 milionë eurosh për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve edhe njëherë tjetër tregon si Qeveria e Edi Ramës administron sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare dhe si menaxhon paratë e shqiptarëve.
Sipas medias Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve, dhe korrupsionin në sektorin e avionëve të shuarjes së zjarreve.
Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian.
Në fakt edhe legjislacioni shqiptar përmban të njëjtat klauzola penalitetesh:
1. Bazuar në ligjin 36/2020 Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, neni 38/1, AK skualifikon çdo operator kur ka të dhëna se ai është ose ka qenë i dënuar me vendim penal të formës së prerë për një sërë veprash penale përfshirë falsifikim, korrupsion; mashtrim etj.
2. DST në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë , në shtojcën 10, për tu plotësuar nga OE pjesëmarrës dhe për tu dorëzuar pranë AK kërkon që ofetuesi nën përgjegjësinë e tij të plotë të vetëdeklarojë se nuk është dënuar për asnjë nga veprat penale të parashikuara në nenin 38/1 të Ligjit Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë .
Në këto kushte Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe nisjen e hetimeve të thelluara nga SPAK për të penalizuar përgjegjësit.







