Ka nisur zyrtarisht procesi i konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale në Bashkinë Cërrik. Pas mbërritjes së shkresës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka hyrë në fuqi periudha 60-ditore e konsultimit publik, gjatë së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të japin mendimet dhe propozimet e tyre për hartën e re territoriale që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë Cërrik, Florenc Doka, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u ka bërë thirrje banorëve të marrin pjesë aktivisht në proces, duke theksuar se kjo reformë prek drejtpërdrejt të ardhmen e komunitetit dhe nuk duhet të shihet si një debat politik.
Sipas Dokës, Bashkia Cërrik ka marrë më 3 gusht 2026 shkresën nr. 3573, datë 31 korrik 2026, të Kuvendit të Shqipërisë, me të cilën nis zyrtarisht periudha 60-ditore e konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale.
Në këtë kuadër, në ditët në vijim do të organizohen takime konsultuese në qytetin e Cërrikut dhe në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Datat, oraret dhe vendet ku do të zhvillohen këto takime do të bëhen publike së shpejti.
Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Doka thekson se konsultimi nuk duhet të fokusohet te ekzistenca apo jo e Bashkisë Cërrik si institucion, por te përfitimet konkrete që qytetarët mund të kenë nga çdo model i ri organizimi territorial.
Ai nënvizon se qytetarët duhet të informohen plotësisht përpara se të japin opinionin e tyre dhe se procesi duhet të shoqërohet me pyetje dhe përgjigje të qarta mbi ndikimin që reforma do të ketë në jetën e përditshme.
Mes çështjeve që Bashkia Cërrik synon të diskutojë gjatë konsultimeve janë:
•nëse vazhdimi i Bashkisë Cërrik si njësi më vete garanton më shumë zhvillim ekonomik, investime dhe shërbime cilësore;
•çfarë përfitojnë konkretisht banorët në rast të një modeli tjetër organizimi;
•si do të përfaqësohet Cërriku në strukturat vendimmarrëse;
•si do të ndahen fondet publike dhe investimet;
•si dhe nëse njësitë e reja do të kenë kompetenca më të gjera apo ndryshimet do të kufizohen vetëm në aspektin administrativ.
“Ky nuk është një konsultim për fatin e një kryetari bashkie. Është një konsultim për të ardhmen e komunitetit tonë”, shprehet Doka, duke kërkuar që debati të zhvillohet me qetësi, respekt dhe përgjegjësi.
Ai fton qytetarët të marrin pjesë në çdo takim, të bëjnë pyetjet e tyre, të japin propozime dhe të dëgjojnë argumentet, duke garantuar se në përfundim të procesit, qëndrimi zyrtar i Bashkisë Cërrik do të ndërtohet mbi mendimin dhe zërin e qytetarëve.
Ndërkohë, kryebashkiaku siguron se puna e administratës vendore do të vijojë normalisht gjatë kësaj periudhe konsultimi. “Kemi 500 punë për të bërë”, shkruan ai, duke theksuar se procesi i reformës nuk do të ndikojë në vijimin e investimeve dhe shërbimeve për komunitetin.







