Ballina Ekonomia Projektligji për punësimin/ Pagat për vendet e lira të punës do jenë...

Projektligji për punësimin/ Pagat për vendet e lira të punës do jenë publike, krijohet pasaporta digjitale…

35
0

Projektligji për punësimin/ Pagat për vendet e lira të punës do jenë publike, krijohet pasaporta digjitale me eksperiencën e punëkërkuesit

Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, me synim modernizimin e shërbimeve të punësimit, rritjen e transparencës në tregun e punës dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, synon forcimin e politikave aktive të punësimit, zgjerimin e mbështetjes për punëkërkuesit dhe krijimin e instrumenteve të reja digjitale.

Ndër risitë kryesore është krijimi i Pasaportës Digjitale të Punësimit dhe Aftësive, një dokument elektronik ku do të regjistrohen historia e punësimit, kualifikimet dhe përvoja profesionale e çdo individi, në mënyrë që të lehtësohet mundësia e punësimit në raport me kualifikimet që ka individi.

“Pasaporta digjitale e punësimit dhe aftësive është dokument elektronik zyrtar, në të cilin pasqyrohen të dhënat kryesore për marrëdhëniet e punës, periudhat e punësimit, profesionin, kualifikimet dhe përvojën e punës së individit. Pasaporta digjitale e punësimit dhe aftësive administrohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, nëpërmjet një platforme të integruar me bazat shtetërore të të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në nenin 16/1 të projektligjit.

Gjithashtu do të ngrihet Observatori i Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive, i cili do të mbledhë dhe analizojë të dhënat mbi kërkesën dhe ofertën në tregun e punës.

“Observatori i Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive” është mekanizëm kombëtar digjital dhe i integruar për mbledhjen, përpunimin, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave mbi tregun e punës dhe aftësitë”, thuhet në projektligj.

Projektligji parashikon gjithashtu që çdo punëdhënës të shpallë vendet e lira të punës duke publikuar edhe intervalin e pagës, si dhe të deklarojë pranë institucioneve përgjegjëse të dhënat për marrëdhëniet e punës dhe largimet nga puna.

“Çdo punëdhënës ka për detyrë të shpallë ose të njoftojë në institucionin përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, vendet e lira të paguara të punës nëpërmjet deklarimit në strukturat përkatëse rajonale/vendore të punësimit. Në çdo shpallje të vendit të lirë të punës, punëdhënësi duhet të bëjë publike intervalin e pagës për pozicionin e shpallur”, thuhet në pikën 2.1 të nenit 19

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me krijimin e bazës ligjore për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Rrjetin Evropian të Punësimit ‘EURES’, që do të lehtësojë lëvizjen e punëtorëve dhe shkëmbimin e informacionit me vendet e BE-së.