Ballina Sport Skandali që trondit Infantinon, punësoi të dashurën dhe i rriti rrogën! UEFA...

Skandali që trondit Infantinon, punësoi të dashurën dhe i rriti rrogën! UEFA e pagoi për ta larguar

94
0

Një tjetër histori që ngre pikëpyetje mbi drejtimin e Xhani Infantinos në futbollin ndërkombëtar është publikuar në Angli. Sipas “The Telegraph”, presidenti aktual i FIFA-s, gjatë periudhës kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s, nga viti 2009 deri në 2016, kishte një marrëdhënie intime me një punonjëse të organizatës, e cila më pas dyshohet se përfitoi favore profesionale dhe financiare.

Sipas gazetës britanike, punonjësja, e cila fillimisht kishte një pozicion administrativ, u ngrit në detyrë dhe mori një rritje page prej rreth 30%, duke arritur në afro 160 mijë franga zvicerane. Pas largimit nga UEFA, organizata i financoi gjithashtu studimet për një master në Administrim Biznesi, me një kosto prej rreth 45 mijë stërlinash në vit, ndërsa sipas raportimit, Infantino e ndihmoi të gjente një vend të ri pune. UEFA ka konfirmuar se ndaj punonjëses ishte kryer një pagesë në momentin e përfundimit të marrëdhënies së punës dhe se ishin financuar edhe studimet e saj, duke argumentuar se këto pagesa ishin në përputhje me rregulloret e kohës.

“The Telegraph” pretendon se çështja kishte shkaktuar përplasje edhe mes Infantinos dhe Michel Platinit, i cili në atë periudhë drejtonte UEFA-n. Sipas gazetës, Platini i kishte kërkuar Infantinos të zgjidhte mes largimit të punonjëses dhe vazhdimit të karrierës së tij në organizatë, pasi promovimi i saj kishte krijuar probleme. Raportimi vjen në një moment kur Infantino përballet me kritika të tjera publike, ndërsa pretendimet e publikuara nga gazeta britanike kanë hapur sërish debat mbi mënyrën se si ai ka ushtruar pushtetin gjatë viteve të tij në drejtimin e futbollit europian dhe botëror.