Ballina Politika ‘Rama si Putini’/ Lubonja për gazetën franceze: Krimi i organizuar është integruar...

‘Rama si Putini’/ Lubonja për gazetën franceze: Krimi i organizuar është integruar në qeveri, BE mbyll sytë

73
0

Nga Martin Eteve

Që prej fundit të majit, Shqipëria po përjeton një valë të gjerë protestash kundër një projekti turistik luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, në lagunën e mbrojtur të Nartës, në jugperëndim të vendit. Përtej vetë projektit, protestuesit tashmë po kundërshtojnë edhe sistemin politik të mishëruar nga kryeministri Edi Rama, në pushtet që prej vitit 2013.

Si duhet lexuar “Revolucioni i flamingove”, që prej dy muajsh po trondit pushtetin shqiptar?

Ajo që i shkaktoi të gjitha këto protesta ishte një video ku shfaqej një protestues duke u dhunuar në Nartë, pikërisht përballë ishullit të Sazanit, ku është parashikuar projekti i Kushnerit. Në video shihet se ai tërhiqet zvarrë në tokë jo nga policia shqiptare, por nga një grup sigurie private, ndërsa policia zyrtare qëndronte në heshtje dhe nuk ndërhynte. Ky simbol, i një shteti bashkëpunëtor me organizata jo transparente, është shumë domethënës.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një mobilizim ekologjik. Është një lëvizje që kundërshton një sistem të vendosur në Shqipëri prej 35 vitesh, që nga rënia e komunizmit.

Para vitit 1992, Shqipëria ishte vendi më radikal komunist. Nga pikëpamja ekonomike, ishte një vend tërësisht i kolektivizuar. Por bëhej fjalë për një kolektivizim të imponuar, pa socializëm.

Pas rënies së komunizmit, regjimi që u ndërtua ishte ai i glorifikimit të individualizmit. Shoqëria nuk ekziston, ekzistojnë vetëm individët. Shqipëria erdhi të mishërojë neoliberalizmin në formën e tij më ekstreme. Një neoliberalizëm në të cilin më të fuqishmit nuk vijnë nga meritokracia, por janë njerëz të afërt me pushtetin dhe pjesëtarë të krimit të organizuar.

Që nga vitet ’90, pushteti është sofistikuar disi, ka gjetur metoda më të holla për shfrytëzimin e të tjerëve dhe për mashtrimin, por pa treguar konsideratë për çështjen sociale.

Cilat janë shtyllat mbi të cilat mbështetet pushteti i Edi Ramës?

Edi Rama ka arritur atë që paraardhësit e tij nuk mundën ta bënin: të bashkojë oligarkët rreth vetes. Këta kontrollojnë shumicën e mediave, në një sistem që i ngjan në njëfarë mënyre atij të Putinit.

Nga ana tjetër, ai e ka integruar krimin e organizuar në sistemin e tij. Ka lejuar pastrimin e parave të këtij sektori përmes ndërtimit të pasurive të paluajtshme në bregdet, i cili, sipas tij, është tërësisht nën kontrollin e bandave kriminale. Pikërisht ky sistem është vënë drejtpërdrejt në pikëpyetje nga çështja e Kushnerit.

Por Rama e merr legjitimitetin e tij edhe nga partneritetet me atë që unë e quaj “perandoria perëndimore”, Shtetet e Bashkuara dhe Europa.

Kjo nuk është diçka e re: fati i Shqipërisë është përcaktuar historikisht nga vartësia ndaj perandorive. Ishte Perandoria Osmane deri në shekullin XIX, Italia në pjesën e parë të shekullit XX, dhe më pas Bashkimi Sovjetik e Kina gjatë periudhës komuniste.

Rama është ai që ka ditur të përfitojë më shumë nga marrëdhëniet e tij me liderët perëndimorë. Duke u shfaqur përkrah Macronit, Hollandës apo Melonit, ai ka fituar një kapital të madh politik.

Kjo sot materializohet në hapjen e vendit ndaj investimeve perëndimore dhe në praninë ushtarake. Në këmbim, duhej të ndërtohej një shtet i së drejtës.

Në letër, jemi në rregull. Kemi një lloj pluralizmi politik, kemi media, kemi pak a shumë një treg të lirë dhe një shoqëri civile deri diku funksionale. Por realiteti është ndryshe.

Si shpjegohet mbështetja e ripërtërirë e Perëndimit për Edi Ramën, pavarësisht këtyre mangësive?

Perëndimi nuk ka pasur si objektiv ndërtimin e një shteti të së drejtës në Shqipëri. Ai e ka dashur Shqipërinë si një shtet vartës, për arsyet e veta gjeopolitike.

Dhe Rama e ka kuptuar shumë mirë këtë. Ai është ofruar për të pritur kampet e emigrantëve të kërkuara nga Italia, ka inauguruar një bazë të NATO-s dhe ka pritur kundërshtarë iranianë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Bashkimi Europian toleron gjëra që nuk do t’i toleronte diku tjetër.

Ajo që ka bërë Rama në Shqipëri është deri diku e ngjashme me atë që ka bërë Orbáni në Hungari, nëse lëmë mënjanë qëndrimet kundër emigracionit.

Dhe ndërsa presidenti hungarez është sanksionuar disa herë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është vënë në pikëpyetje.

Sistemi Rama është pasqyrim i një tendence që po shohim të shfaqet edhe në Perëndim: personalizimi i politikës, mënyra menaxheriale e qeverisjes dhe vënia në pikëpyetje e demokracisë.

Situata në Shqipëri është rezultat i sëmundjes së modelit perëndimor, e cila prek një vend me një sistem imunitar demokratik shumë të cenueshëm./ LA CROIX