Ballina Europë Akuzohet se porositi atentatin me eksploziv ndaj gazetarit të njohur, arrestohet biznesmeni...

Akuzohet se porositi atentatin me eksploziv ndaj gazetarit të njohur, arrestohet biznesmeni italian

74
0

Biznesmeni dhe ish-gazetari-botues italian Valter Lavitola, është arrestuar me akuzën se ka porositur atentatin me eksploziv ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit të njohur të RAI-t, “Report”. Sipas mediave italiane, masa e arrestit është lëshuar nga Gjykata e Romës në kuadër të hetimeve të Prokurorisë, e cila e akuzon Lavitolën për organizimin.

Sipas hetuesve, Lavitola ka ideuar planin dhe i ka besuar bashkëpunëtorit të tij, Klesio Gomez Tavares, gjetjen e personave që do të kryenin sulmin dhe sigurimin e lëndës shpërthyese. Sulmi ndodhi në tetor 2025, pranë banesës së Ranuccit në Pomezia, pranë Romës.

Katër persona të tjerë, të dyshuar si autorët që vendosën eksplozivin, ndodhen tashmë në burg. Ata akuzohen për përdorim të lëndëve shpërthyese, kërcënim dhe dëmtim, si dhe kanë vepruar me metoda mafioze.

Sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit kanë bërë edhe vëzhgime pranë banesës së Ranucci-t përpara atentatit. Hetimet mbështeten në tabulatet telefonike, gjurmimin e automjeteve dhe ekspertizën e telefonave celularë, të cilat, sipas autoriteteve, rrëzojnë alibitë e paraqitura nga të akuzuarit.

Lavitola i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se ishte mik i Ranucci-t. Ai pritet të merret në pyetje nga hetuesit në vijim të procedurës. Megjithatë, ka ende shumë dyshime dhe shumë hipoteza në lidhje me arsyet e sulmit, si dhe në lidhje me motivin e mundshëm të Lavitolës.