Berat Gjimshiti përshëndet Atalantën dhe Bergamon, skuadrën dhe qytetin ku kaloi një dekadë të karrierës së tij dhe ku kapiteni i kombëtares shqiptare u forcua si futbollist e madje u shndërrua në një shtyllë të fortë për zikaltrit bergamask.
Mbrojtësi kuqezi në llogarinë e tij në Instagram publikoi një letër të gjatë lamtumire për të shprehur mirënjohjen dhe lidhjen e tij me skuadrën e Atalantës dhe qytetin e Bergamos të shoqëruar me foto dhe video nga gjithçka përjetoi futbollisti me skuadrën dhe familjen e tij me zikaltrit.
‘Erdha në Bergamo përpara 10 vitesh si një futbollist i ri, me një ëndërr dhe shumë dëshirë për të shfaqur vlerat e mia. Sot largohem duke ditur se ky vend më dha më shumë se futbolli-shkruante në postimin e tij Berat Gjimshiti-këtu u rrita si futbollist, si njeri, si baba. Këtu u rrit familja ime. Bergamo u bë shtëpia ime dhe Atalanta, më shumë se një skuadër. Në këto 10 vite kemi përjetuar fitore, disfata, netë të paharrueshme dhe shënuam arritje që ndoshta një kohë vetëm do t’i ëndërronim. Por ajo që do të mbaj me vete në më shumë se çdo gjë tjetër janë njerëzit; shokët e mi të skuadrës, trajnerët, të gjithë stafin, çdo person që punon për këtë skuadër, familjen Percassi, tifozët tanë dhe të gjithë qytetarët e Bergamos. Faleminderit për besimin, mbështetjen, që luftuat me ne dhe që më bëtë mua dhe familjen time të ndiheshim pjesë e diçkaje speciale. Asnjë nga ato që kemi arritur nuk na është dhuruar. E kemi ndërtuar së bashku me punë, sakrificë, disiplinë, zemër dhe atë mentalitet që bashkon thellë Atalantën me qytetin e saj. Sot nis një kapitull i ri, por ka vende tnga të cilat nuk mund të ndahesh dot. Mund të largohesh nga një qytet, mund të largohesh nga një skuadër. Por një shtëpi e mbartim brenda vetes. Faleminderit për gjithçka, Bergamo. Faleminderit për gjithçka, Atalanta. Përgjithmonë në zemër!’
Berat Gjimshiti largohet nga Atalanta pas 10 vitesh dhe më shumë se 250 ndeshjesh të zhvilluar me Atalantën në Serie A. Gjatë kësaj dekade Gjimshiti ka qenë një element shumë i rëndësishëm për skuadrën bergamaske si në kampionat ashtu edhe në arenën evropiane ku në sezonin 2023-24 ngriti trofeun e Europa League. Qendërmbrojtësin shqiptar tani e pret një aventurë e re në kampionatin e Arabisë Saudite ku do të luajë me Al Diriyah që këtë të hënë zyrtarizoi transferimin e futbollistit të kombëtares shqiptare.







