Ish-trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka folur për herë të parë për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se ka vendosur të mos vazhdojë negociatat për të marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës.
Tekniku holandez ishte konsideruar favorit për të pasuar Ronald Koemanin, ndërsa kishte zhvilluar edhe bisedime me Federatën Holandeze të Futbollit. Megjithatë, Slot vendosi të tërhiqet nga procesi.
47-vjeçari ka bërë të qartë se vendimi nuk lidhet me aspektin financiar. Sipas tij, arsyeja kryesore është dëshira për të qenë çdo ditë në fushën e stërvitjes dhe për të punuar nga afër me futbollistët.
“Në këtë fazë të karrierës sime, preferoj ta shoh veten në fushën e stërvitjes me lojtarët e mi çdo ditë. Diçka që nuk është e mundur në të njëjtën mënyrë me një kombëtare”, ka deklaruar Slot.
Ai gjithashtu ka vlerësuar pozitivisht mënyrën se si u zhvilluan bisedimet me Federatën Holandeze, duke mohuar se paga apo kohëzgjatja e kontratës ishin pengesë.
“Kam respekt të madh për Kombëtaren dhe KNVB-në. Mund të jem vetëm pozitiv për mënyrën profesionale në të cilën u zhvilluan bisedimet. Për momentin, besoj se futbolli i klubeve ende ka shumë për të më ofruar”, është shprehur ai.
Slot nuk e ka mbyllur derën për një rikthim të ardhshëm në futbollin ndërkombëtar. Përkundrazi, ai ka theksuar se drejtimi i Holandës mbetet një ambicie për të ardhmen.
“Do të ishte një nder i madh ta përfaqësoja një ditë vendin tim si trajner i kombëtares. Megjithatë, ky nuk ishte momenti i duhur për mua”, ka përfunduar Slot.
Pas largimit nga Liverpooli, Slot raportohet se ka refuzuar edhe mundësinë për të marrë drejtimin e Fulhamit.







