Ballina Aktualitet 90% e rekomandimeve të KLSH për pajisjet mjekësore në spitalet e Tiranës...

90% e rekomandimeve të KLSH për pajisjet mjekësore në spitalet e Tiranës nuk u zbatuan

72
0

Vetëm 2 nga 20 rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për përmirësimin e menaxhimit të pajisjeve mjekësore në sistemin spitalor publik rezultojnë të zbatuara, ndërsa 18 masa, ose 90% e totalit, mbeten të pazbatuara. KLSH e cilëson nivelin e zbatimit “shumë të ulët” dhe paralajmëron se mosmarrja e masave rrezikon përdorimin efektiv të pajisjeve dhe cenon cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Rezultati del nga auditimi i ri për zbatimin e rekomandimeve të lëna në vitin 2024 në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Qendrën Kombëtare Teknike Bio-Mjekësore, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalin Universitar të Traumës dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Të 20 rekomandimet ishin pranuar nga institucionet, por kontrolli i kryer në fund të vitit 2025 dhe fillim të vitit 2026 tregoi se pranimi i tyre nuk ishte shoqëruar me zbatim në të njëjtën masë.

Problemi është edhe më i theksuar te masat organizative. Nga 17 rekomandime të kësaj kategorie, vetëm një është zbatuar, ndërsa 16, ose 94%, mbeten të pazbatuara. Për ndryshimet apo përmirësimet ligjore ishin dhënë tri rekomandime, nga të cilat vetëm një është zbatuar dhe dy të tjera, ose 67%, mbeten pa realizuar. Sipas KLSH-së, ky rezultat është tregues i mungesës së angazhimit të institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave të kërkuara.

Problematikat e pazgjidhura prekin hallka bazë të administrimit të teknologjisë mjekësore. KLSH konstaton se strukturat biomjekësore në QSUT, Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe Spitalin Universitar të Traumës nuk kishin një regjistër ku të dokumentohej i gjithë historiku i pajisjeve, që nga vendosja në punë dhe gjatë përdorimit të tyre. Për këtë arsye është rikërkuar hartimi i një formati të unifikuar dhe ngritja e regjistrave në të gjithë sistemin spitalor publik, tashmë me afat deri më 30 shtator 2026.

Kontrolli nxjerr në pah mangësi edhe në mbikëqyrje. QSUT, Spitali Universitar i Traumës dhe “Shefqet Ndroqi” nuk kishin ushtruar kontrolle të brendshme mbi mënyrën e administrimit dhe menaxhimit të pajisjeve mjekësore. KLSH-ja kishte rekomanduar që Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të kryente inspektime dhe që spitalet të përcaktonin mënyrën dhe periodicitetin e kontrolleve të brendshme, por në auditimin e ndjekjes masa rezulton e pazbatuar.

Sipas raportit, një peshë të konsiderueshme financiare kanë edhe kontratat e mirëmbajtjes. Për tri spitalet universitare të audituara, vlera e kontratave “full risk” për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore arriti në 724.1 milionë lekë gjatë periudhës 2021-2023. Megjithatë, sipas KLSH-së, kapacitetet teknike të spitaleve nuk i përgjigjen numrit të lartë të pajisjeve që administrojnë.

Në të njëjtën kohë, QSUT, Trauma dhe “Shefqet Ndroqi” nuk kishin kryer vlerësime sistematike për vjetërsinë teknologjike të pajisjeve, statusin “end of life” apo “end of support”, si dhe analiza kosto-përfitim për të përcaktuar nëse vijimi i mirëmbajtjes së pajisjeve të vjetra ishte ekonomikisht më i leverdishëm se zëvendësimi i tyre. KLSH-ja thekson se në raste të caktuara kostot e mirëmbajtjes mund të tejkalojnë edhe koston e blerjes së një pajisjeje, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk kishte zhvilluar një proces sistematik të vlerësimit të teknologjisë mjekësore në sistemin publik.

Pas auditimit, KLSH ka vendosur afate të reja për një pjesë të masave të pambyllura. Deri më 30 shtator 2026, Ministria dhe institucionet shëndetësore duhet, ndër të tjera, të krijojnë regjistrin e unifikuar të pajisjeve, të rishikojnë praktikën e mirëmbajtjes dhe të forcojnë kapacitetet teknike.

Përfundimi i auditimit mbetet megjithatë shqetësues: nga 20 masa të pranuara nga institucionet për një sektor që lidhet drejtpërdrejt me diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve, vetëm 10% rezultojnë të zbatuara./ekofin.al