“Integrated Energy BV SPV”, shoqëria koncesionare e incineratorit të Tiranës, siguroi një fitim para taksave prej 792.3 milionë lekësh në vitin 2025 (mbi 8 milionë euro), pavarësisht se impianti për djegien e mbetjeve, për të cilin u lidh kontrata, nuk është ndërtuar.
Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, të ardhurat nga aktiviteti kryesor arritën në 1.5 miliardë lekë. Kompania thotë në raport se të ardhurat i ka nga përpunimi i mbetjeve. Gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar mbetje nga bashkitë e qarkut dhe operatorë privatë me kontratë; sasia e trajtuar gjatë vitit ishte rreth 492,935 ton, sipas të dhnave zyrtare
Fitimi para tatimit përbënte rreth 53% të të ardhurave. Për çdo 100 lekë të ardhura, kompania gjeneroi afro 53 lekë fitim para taksave, një normë jashtëzakonisht e lartë për një kontratë të financuar në pjesën më të madhe nga pagesat publike për trajtimin e mbetjeve.
Pas pagesës së 119.6 milionë lekëve tatim, “Integrated Energy BV SPV” e mbylli vitin 2025 me një fitim neto prej 672.8 milionë lekësh gati 7 mln euro.
Koncesioni i mbetjeve në Tiranë i ka marrë rregullisht pagesat nga buxheti i shtetti, edhe pasi u vu në sekuestro dhe ndonëse ai kryen vetëm shërbimin e menaxhimit të mbetjeve dhe nuk e ka krer investimin e parashikuar për ndërtimin e inceneratorit. Në 2025-n, shoqëria mori 913 milionë lekë pagesa nga buxheti, ndërsa që nga 2017-a ka marrë gjithsej 8.4 miliardë lekë.
Rezultatet financiare marrin një peshë tjetër për shkak të historisë së kontratës dhe hetimeve penale. Koncesioni me vlerë të parashikuar investimi prej 128.2 milionë eurosh pa TVSH u dha në vitin 2017 për ndërtimin e landfillit, incineratorit, rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Por impianti industrial i incinerimit nuk u ndërtua. Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte konstatuar se Bashkia e Tiranës dhe institucionet shtetërore paguanin tarifën e plotë prej 29 eurosh për ton, ndonëse ajo përfshinte edhe procesin e incenerimit, i cili nuk kryhej.
Shoqëria ndodhet nën sekuestro preventive që prej korrikut 2023 dhe administrohet nga shteti. Sipas SPAK-ut, pronarët “de facto” të saj janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, pavarësisht strukturës formale të pronësisë së regjistruar jashtë vendit.
Në korrik 2026, SPAK dërgoi për gjykim 12 persona dhe dy shoqëritë “Integrated Energy BV SPV” dhe “Integrated Technology Service”. Vetë kompania koncesionare akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas SPAK-ut, nga fillimi i kontratës deri në vendosjen e sekuestros në vitin 2023, kompania siguroi 11.3 miliardë lekë të ardhura, ndërsa për ndërtimin e veprës u investuan vetëm 21 milionë euro. Prokuroria pretendon se shuma të mëdha u nxorën nga llogaritë përmes faturave fiktive, kompanive të krijuara brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe transfertave në para fizike. Vlera e identifikuar nga hetimi arrin në 1.28 miliardë lekë dhe 16.7 milionë euro.
Norma prej 53% e fitimit para taksave tregon se kontrata vijon të prodhojë fitime të mëdha, ndërsa vepra kryesore që duhet të justifikonte tarifën dhe investimin publik, incineratori nuk është ndërtuar tani pas 9 vitesh nga hyrja në fuqi e kontratës./ B.Hoxha, Monitor/







