Qëndresa qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij ka vijuar edhe sot në ditën e saj të 81-të radhazi, ku protestuesit janë mbledhur për të mbajtur fjalimet e tyre përpara godinës së Kryeministrisë.
Aktivistja Besjana Guri u shpreh se e vetmja përgjigje që qytetarët kanë marrë nga pushteti përballë protestës së tyre të pandërprerë është injorimi. Megjithatë, ajo theksoi se protestuesit kanë vendosur të mos ndalen dhe nuk do ta pranojnë kurrë këtë heshtje si përgjigje, pasi asnjë nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët e shumtë në atë shesh nuk ka marrë reagim zyrtar.
Gjatë fjalës së saj, Guri solli në vëmendje edhe ligjin për zonat e mbrojtura, i cili sipas saj ka bërë të mundur copëtimin e pasurive natyrore të Shqipërisë. Ajo nënvizoi se qytetarët që protestojnë çdo ditë janë të bashkuar nga një kauzë e vetme: mbrojtja e vendit, fëmijëve dhe të ardhmes së tyre. Në përmbyllje, ajo garantoi se protestuesit nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga pasuria kombëtare për hir të interesave apo zhvillimeve të momentit.





