Ballina Politika Për kë bien këmbanat? Ambasada amerikane në Tiranë përcjell paralajmërimin e Uashingtonit...

Për kë bien këmbanat? Ambasada amerikane në Tiranë përcjell paralajmërimin e Uashingtonit për anulimin e vizave

45
0

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përcjellë një mesazh të Departamentit Amerikan të Shtetit për anulimin e vizave të shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Departamenti i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Postimi merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se publikohet nga përfaqësia diplomatike amerikane në Shqipëri, ndërsa administrata Trump ka ndërmarrë një fushatë më të gjerë për rishikimin dhe anulimin e vizave të shtetasve të huaj.

Mesazhi i shpërndarë në Tiranë nuk përmend emra dhe as nuk thotë se paralajmërimi lidhet posaçërisht me shtetas shqiptarë. Formulimi i tij është megjithatë i qartë: Departamenti i Shtetit po anulon vizat e shtetasve të huaj që, sipas autoriteteve amerikane, kryejnë krime, nxisin dhunë ndaj amerikanëve ose kërcënojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Pikërisht fakti që Ambasada Amerikane në Tiranë ka zgjedhur ta përcjellë publikisht këtë mesazh e bën atë interesant edhe për publikun shqiptar.

Dhe, pa spekuluar për emra që vetë Ambasada nuk i përmend, pyetja mbetet: për kë bien këmbanat?