Mëngjesin e së hënës, me 21 gusht 1911, një skicues që punonte në galeritë e Muzeut të Luvrit në Paris njoftoi rojet e sigurisë se “Mona Liza” e Leonardo da Vinçit, portreti i gruas së një tregtari italian mëndafshi, e famshme për buzëqeshjen e saj enigmatike, ishte zhdukur. Fillimisht, askush nuk u shqetësua shumë për atë telajo të vogël të Rilindjes, e cila vlerësohej nga elita e artit, por ende nuk ishte bërë e famshme për publikun e gjerë. “Menduan se ishte zhvendosur nga departamenti i restaurimit ose se e kishin marrë për ta fotografuar”, thotë Noah Charney, autor i librit The Theftsof the Mona Lisa.
Në të vërtetë, “Mona Liza”, e njohur gjithashtu si “La Gioconda”, ishte nxjerrë fshehurazi nga muzeu rreth orës shtatë të mëngjesit. Në kërkimin e madh publik që pasoi, për pak kohë u vu në shënjestër edhe një artist i ri spanjoll në ngritje: Pablo Pikaso.
Si arriti hajduti ta vidhte “Mona Lizën”?
Sipas Charney-t, hajduti, pasi kishte punuar në Luvër gjatë fundjavës, ka të ngjarë të jetë fshehur gjatë natës në një depo furnizimesh dhe mëngjesin tjetër të ketë dalë fshehurazi. Ai shkoi drejt e në Salon Carré, ku ekspozohej “Mona Liza”, e hoqi me mjeshtëri nga muri, si edhe nga korniza jashtëzakonisht e rëndë dhe xhami mbrojtës. Më pas e mbështolli me një çarçaf dhe e fshehu nën krah.
Siguria ishte aq e dobët, shton Charney, sa kur hajduti u përball me një derë daljeje të kyçur, një hidraulik e hapi për të. Punëtorët shpesh mbeteshin aksidentalisht të mbyllur brenda muzeut gjatë natës. Kështu, Peruggia u zhduk pa vështirësi në mëngjesin parizian, me thesarin e tij nën krah.
Më vonë, po atë ditë, stafi i Luvrit kuptoi më në fund se piktura ishte vjedhur dhe kontaktoi policinë e Parisit. Meqë hajduti kishte lënë shumë pak gjurmë, hetuesit e bënë lajmin publik. “Ishte një mister i pashpjegueshëm”, thotë Nicholas Day, autor i librit The Mona Lisa Vanishes. “Tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme. Hetuesit ishin nën një presion të madh. Por ata ndoqën një sërë pistash që nuk çuan askund.”
Një nga të dyshuarit e parë ku u përqendruan policët ishte pikërisht Pikaso. Në atë fazë të hershme të karrierës së tij, artisti 29-vjeçar ishte ende disa vite larg krijimit të kubizmit dhe shndërrimit në një prej artistëve më me ndikim të shekullit XX.
Pse u dyshua Pablo Pikaso për vjedhjen e “Mona Lizës”?
Pasi u vendos në Paris në vitin 1904, Pikaso u miqësua me një numër artistësh, piktorësh dhe poetësh që jetonin, punonin dhe shoqëroheshin në një ndërtesë të njohur si Bateau-Lavoir, një qendër krijuese në lagjen pariziane Montmartre. Në vitet që pasuan, ndërsa fama e Pikasos rritej, ai u afrua veçanërisht me poetin dhe kritikun e artit Guillaume Apollinaire.
Në vitin 1907, Pikaso u tregoi Apollinaire-it dhe sekretarit të tij të atëhershëm, Honoré-Joseph Géry-Pieret, se sa shumë i pëlqenin tri skulptura të lashta iberike që ishin ekspozuar në Luvër, thotë Charney. Më vonë, Pieret mburrej se i kishte vjedhur skulpturat nga një depo në bodrumin e muzeut. “Ai tha se i kishte futur të trija nën pardesynë e tij”, thotë Charney. “Por ato ishin mjaft të mëdha dhe të rënda. Është e pamundur që një person i vetëm t’i mbante të tria.”
Pavarësisht nëse Pieret kishte vepruar i vetëm apo jo, dy prej skulpturave përfunduan në apartamentin e Pikasos, ku ai i mbante në garderobën e tij.
Kur u bë publike vjedhja e “Mona Lizës”, publiku u zhyt në gazeta dhe revista për të mësuar lajmet më të fundit. Pas disa javësh, kur informacionet e reja filluan të mungonin, disa botime ofruan shpërblime për të nxitur histori të reja, thotë Charney. Pieret i shkroi gazetës Paris-Journal, duke pranuar se kishte vjedhur për vite me radhë nga Luvri dhe duke shprehur keqardhjen se tani siguria do të ishte shumë më e madhe.
Policia e dinte se Pieret kishte punuar dikur për Apollinaire-in dhe se Pikaso ishte miku i tij më i ngushtë. Nën presionin për të treguar përparim në hetimin e çështjes së “Mona Lizës”, policia arrestoi dhe mori në pyetje të dy burrat, me dyshimin se kishin vjedhur pikturën e zhdukur të Leonardos. “Ata kishin një alibi dhe u liruan shpejt”, shpjegon Charney. “Pikaso ishte i tmerruar, sepse nuk donte të dëbohej në Spanjë.”
Pas lirimit, Pikaso dhe Apollinaire planifikuan t’i hidhnin skulpturat iberike në lumin Senë, për të zhdukur çdo provë të vjedhjeve të mëparshme. “Por ai i donte shumë. Nuk mundi ta bënte. I fshehën përsëri”, thotë Charney. “Më pas Apollinaire, i veshur me një maskim shumë qesharak, i çoi skulpturat te Paris-Journal dhe ato iu kthyen Luvrit.”
Në fund, skulpturat luajtën një rol të rëndësishëm në ngritjen e karrierës së Pikasos. Kokët e gdhendura në mënyrë të ashpër, të vjedhura nga muzeu, frymëzuan drejtpërdrejt dy prej fytyrave në pikturën e tij të vitit 1907, Les Demoiselles d’Avignon, e cila konsiderohet gjerësisht kryevepra e parë e madhe e artit modernist.
Kush e vodhi “Mona Lizën”?
Ndërkohë, njeriu që vodhi “Mona Lizën” ishte një emigrant italian dhe artist amator i quajtur Vincenzo Peruggia. Pasi u zhvendos në Paris nga Toskana dhe pati vështirësi për të shitur veprat e tij, ai gjeti punë si mirëmbajtës në një kompani që kishte marrë kontratë nga Luvri për të vendosur xhama mbrojtës në shumë prej veprave të artit të muzeut.
Peruggia gabimisht besonte se “Mona Liza” ishte një prej mijëra veprave të grabitura nga Italia prej Napoleonit. “Ky ishte vërtet një krim i kryer rastësisht”, thotë Charney. “Ai donte ta kthente ‘Mona Lizën’ në Itali. Mendonte se do të shpërblehej dhe do të konsiderohej hero kombëtar.”
Pasi u kthye në apartamentin e tij në Paris me pikturën të hënën, më 21 gusht 1911, Peruggia e mbajti atë për më shumë se dy vjet. “Më vonë do të thoshte se piktura e kishte magjepsur. Ai u bë i fiksuar pas saj”, tregon Charney, duke vënë në dukje se Peruggia u mor dy herë në pyetje nga shefi i policisë Louis Lépine.
Përfundimisht, Peruggia e nxori kontrabandë “Mona Lizën” në Firence, ku kontaktoi një tregtar antikitetesh për ta ndihmuar ta kthente atë në muzeun e famshëm Uffizi, kundrejt një shpërblimi. Pasi drejtori i Uffizit, Giovanni Poggi, u takua me Peruggian dhe e çoi telajon në muze për ta verifikuar, ai kontaktoi policinë, e cila arrestoi hajdutin. Në fund, Peruggia kreu vetëm shtatë muaj burg për këtë krim.
Pas një ekspozimi të shkurtër në Uffizi, “Mona Liza” u kthye në Luvër me 4 janar 1914, por tashmë ishte shumë më e famshme se para vjedhjes. Vëmendja e jashtëzakonshme ndërkombëtare që mori historia e vjedhjes, rikthimi i saj i bujshëm dhe më pas gjyqi i Peruggias e shndërruan “Mona Lizën” në veprën e artit më të njohur në botë. “Ndoshta është objekti i vjedhur më i famshëm në historinë e njerëzimit”, thotë Charney.







