Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale lidhur me trenin turistik që transporton vizitorët drejt “Syrit të Kaltër”, i cili sipas denoncimeve të publikuara nga “Disidentët” ishte pezulluar dhe bllokuar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Zhupa ngre shqetësimin se, pavarësisht masës zyrtare të bllokimit dhe faktit që treni ishte lënë nën mbikëqyrjen e Policisë së Sarandës, ai ka vijuar sërish aktivitetin.
Ajo kërkon të zbardhet se kush lejoi moszbatimin e urdhrit të IKMT-së, nëse ka pasur ndërhyrje për rikthimin e trenit në funksion dhe kush mban përgjegjësi për situatën.
Reagimi i Ina Zhupës:
Sipas denoncimeve të publikuara nga “Disidentët”, treni turistik i “Syrit të Kaltër” është pezulluar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Sipas IKMT-së, treni është bllokuar dhe është lënë nën mbikëqyrjen e Policisë së Sarandës. Por sot, pavarësisht urdhrit të pezullimit dhe masës së bllokimit, treni rezulton sërish në funksion.
Atëherë, kush do të mbajë përgjegjësi?
Kush e lejoi që një masë zyrtare e IKMT-së të mos zbatohet? Kush i dha urdhër Policisë së Sarandës të mos zbatojë bllokimin?
A ka ndërhyrë nënkryetari i Bashkisë Sarandë Elton Dauti për ta rivënë në punë pa letra?!
Kush e mbron, kush përfiton dhe kush ndan fitimet me kë?
Kërkohet transparencë dhe përgjegjësi institucionale: kush e urdhëroi moszbatimin e masës së IKMT-së dhe kush përfiton nga kjo paligjshmëri?!







