Ballina Kuriozitete ‘Dritare mbi ligatinat’/ Pilivesa kurioze bëhet protagoniste e fotografisë më të mirë...

‘Dritare mbi ligatinat’/ Pilivesa kurioze bëhet protagoniste e fotografisë më të mirë të biodiversitetit

66
0

Një pilivesë kurioze, me sytë e saj të mëdhenj që duken përmes vrimave të një gjetheje, është protagoniste e fotografisë fituese të konkursit të përvitshëm të fotografisë, të promovuar nga revistat shkencore BMC Zoology dhe BMC Ecology and Evolution.

Konkursi synon të vlerësojë imazhet që pasqyrojnë bukurinë dhe diversitetin e jetës në Tokë, duke sjellë në vëmendje njëkohësisht punën e studiuesve që kontribuojnë në kuptimin dhe mbrojtjen e botës natyrore.

Fotografia fituese, e titulluar “Dritare mbi Ligatinat”, është realizuar në Indi nga Sritam Kumar Sethy, student në Universitetin Berhampur. Përmes imazhit të pilivesës, fotografi synon të ofrojë një vështrim në botën shpesh të anashkaluar të biodiversitetit të ujërave të ëmbla. Pilivesat janë grabitqarë të rëndësishëm në ekosistemet e ligatinave dhe konsiderohen gjerësisht si tregues të shëndetit të ekosistemeve.

Në vendin e dytë u rendit një fotografi e realizuar nga Ryan Wagner, i Universitetit Shtetëror të Uashingtonit. Imazhi tregon dy studentë gjatë punës në terren, në një natë me shi pranë Portlandit, në Oregon, teksa i vendosin një transmetues radioje një bretkose për të studiuar lëvizjet e saj.

Kategoria “Marrëdhënie në Natyrë” u fitua nga Victor Huertas, i Universitetit James Cook në Australi, me një fotografi spektakolare të dy sepjeve gjigante australiane meshkuj që konkurrojnë për një femër.