Ballina Dossier Kur Regani dhe Gorbaçovi ishin një hap larg eliminimit të armëve bërthamore

Kur Regani dhe Gorbaçovi ishin një hap larg eliminimit të armëve bërthamore

50
0

Në vitin 1986, presidenti amerikan Ronald Regan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov iu afruan jashtëzakonisht shumë një marrëveshjeje historike për çarmatimin bërthamor. Por negociatat u bllokuan për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi një fjalë të vetme.

Pritshmëritë ishin të ulëta kur presidenti Ronald Regan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov mbërritën në Reikjavik të Islandës për një takim të organizuar me nxitim në vitin 1986. Ajo që pritej të ishte një bisedë joformale për të rifilluar negociatat e ngecura për armët bërthamore, u shndërrua në një nga përballjet më dramatike të Luftës së Ftohtë.

Gjatë dy ditëve të bisedimeve në ishullin e goditur nga erërat, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik iu afruan më shumë se kurrë eliminimit të të gjithë arsenaleve të tyre bërthamorë. Edhe pse negociatat përfundimisht dështuan, ato hodhën themelet për traktate historike që reduktuan ndjeshëm numrin e armëve bërthamore në botë.

Kokat bërthamore arrijnë një pikë të rrezikshmekulmore

Në mesin e viteve 1980, kërcënimi i shkatërrimit bërthamor nga një sulm aksidental ose i qëllimshëm rëndonte mbi të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kishin grumbulluar arsenale të jashtëzakonshme, të cilat arritën kulmin në vitin 1986, me rreth 70,000 koka bërthamore.

Një samit i zhvilluar në Zvicër në nëntor 1985 mes Reganit dhe Gorbaçovit kishte ndihmuar në zbutjen e tensioneve mes dy udhëheqësve të superfuqive bërthamore, por Lufta e Ftohtë mbetej ende e ngrirë.

“Mesi i viteve 1980 ishte kulmi i numrit të kokave bërthamore, ndaj ishte një periudhë vërtet e rrezikshme”, thotë Guillaume Serina, autor i librit An Impossible Dream: Reagan, Gorbachev, and a World Without the Bomb. “Të dy udhëheqësit e kuptuan se ky ishte një problem i madh dhe se mirëmbajtja e atij arsenali kushtonte shumë.”

ImageMe bisedimet për reduktimin e armëve në ngërç dhe shpenzimet e mëdha ushtarake që vështirësonin planet e Gorbaçovit për reforma ekonomike, ai propozoi në mesin e shtatorit 1986 një “takim të shpejtë kokë më kokë” me Reganin. Të dy ranë dakord të takoheshin tri javë më vonë në Islandën neutrale.

Zyrtarët amerikanë nuk prisnin shumë nga takimi.

“Na thanë se Gorbaçovi kishte nevojë për një takim simbolik me Reganin, për një fotografi ku të shtrëngonin duart dhe të buzëqeshnin, për të forcuar pozitat e tij në vend, dhe se takimi nuk do të ishte shumë përmbajtjesor”, kujton Ken Adelman, drejtori i Reganit për kontrollin e armëve. “Doli krejt e kundërta.”

Regani dhe Gorbaçovi diskutojnë çarmatimin e plotë bërthamor

Mëngjesin e 11 tetorit 1986, dy udhëheqësit u takuan në shtëpinë Höfði, në periferi të Reikjavikut. Rivalët e Luftës së Ftohtë u gjendën në një hapësirë të vogël.

“Kishte aq pak hapësirë sa njerëzit punonin edhe në banjë”, thotë Serina.

“Ishte një atmosferë pasigurie “, kujtoi sekretari amerikan i Shtetit, George Shultz. “Takimi ishte organizuar kaq papritur. Asgjë nuk dukej e parashikueshme.”

Adelman kujton një pamje që tregonte seriozitetin e takimit: “Dy oficerë ushtrie, një sovjetik dhe një amerikan, mbanin secili një valixhe me kodet bërthamore për të shkatërruar vendin tjetër. Dhe qëndruan vetëm disa hapa larg njëri-tjetrit gjatë gjithë fundjavës, ndërsa udhëheqësit takoheshin në sallën e konferencave.”

ImagePas një bisede private njëorëshe me Reganin, Gorbaçovi paraqiti një ofertë dramatike. Ai propozoi përgjysmimin e arsenalit të armëve bërthamore strategjike dhe çmontimin e të gjitha raketave amerikane dhe sovjetike me rreze të ndërmjetme në Europë.

“Ishte e qartë se Gorbaçovi kishte ardhur me një valixhe plot me propozime dhe nuk ishte aty thjesht për një takim formal”, thotë Adelman.

Regani ra dakord në parim për përgjysmimin e arsenalit, me kusht që të dyja palët të mbeteshin me numër të barabartë armësh.

Për dy ditët në vijim, të dy udhëheqësit u ulën rreth një tryeze drejtkëndore, shpesh të shoqëruar vetëm nga dy përkthyes, një person që mbante shënime, Shultz dhe ministri i Jashtëm sovjetik Eduard Shevardnadze.

“Asnjëri nuk ndoqi ndonjë skenar. Ata thoshin vërtet atë që kishin në mendje”, thotë Adelman.

Pas negociatave që zgjatën gjithë natën, Regani dhe Gorbaçovi u kthyen të nesërmen në tryezën e bisedimeve. Me 12 tetor, negociatat kishin prodhuar një propozim befasues: eliminimin e plotë të armëve bërthamore amerikane dhe sovjetike brenda 10 vjetësh.

Ishte një dëshirë që Regani e kishte shprehur edhe disa ditë më parë, kur i kishte thënë një këshilltari: “Dua t’i heq qafe ato armë atomike, të gjitha!”

Eliminimi i të gjitha raketave bërthamore ishte një synim gjigant, që do të haste kundërshtime të mëdha nga aleatët europianë të SHBA-së dhe do të kërkonte që edhe fuqitë e tjera bërthamore të çarmatoseshin. Por për disa orë, dy udhëheqësit rivalë e imagjinuan një të ardhme pa armë bërthamore.

Megjithatë, një fjalë e vetme e ndali diskutimin historik.

Negociatat dështojnë për shkak të sistemit mbrojtës “StarWars”

ImageI shpallur nga Regani në vitin 1983, Strategic Defense Initiative (SDI), një sistem i propozuar mbrojtjeje kundër raketave balistike me bazë në hapësirë, ishte bërë një nga shtyllat kryesore të politikës së tij ushtarake. Kritikët e quajtën mburojën futuriste “Star Wars”, ndërsa shumë shkencëtarë e konsideronin jopraktike.

Gorbaçovi, megjithatë, kishte frikë se SDI-ja do ta detyronte kompleksin ushtarako-industrial sovjetik të kërkonte vazhdimin e shpenzimeve të larta për mbrojtjen.

Në Reikjavik, Gorbaçovi pranoi që kërkimi dhe testimi i SDI-së të lejohej në laboratorë, por jo në hapësirë. Regani, nga ana tjetër, këmbëngulte se teknologjia duhej të testohej përfundimisht edhe përtej laboratorëve.

Debati u bë gjithnjë e më i ashpër dhe Gorbaçovi i kërkoi Reganit të tërhiqej. Negociatat u prishën për shkak të çështjes së testimit të SDI-së dhe marrëveshja mbeti pa u nënshkruar.

“Në atë kohë, SDI nuk ishte as teknologjikisht e realizueshme”, thotë Serina. “Por gjithçka u përplas tek ajo fjalë e vetme, ‘laborator’.”

“Të pranoja eliminimin e armëve në Tokë, ndërkohë që në të njëjtën kohë hapnim një garë armatimesh në hapësirë, nuk ishte e pranueshme për mua”, shkroi Gorbaçovi.

“Ai kërkonte një formulim që do ta vriste SDI-në”, shkroi Regani në ditarin e tij. “Çmimi ishte i lartë, por unë nuk pranova ta shisja.”

Të dyja palët ranë dakord vetëm për një gjë: faji ishte i palës tjetër.

“Nuk mendoj se ti dëshiron një marrëveshje. Nuk e di çfarë tjetër mund të kisha bërë”, tha Gorbaçovi në bisedën e fundit.

“Mund të kishe thënë ‘po'”, iu përgjigj Regani.

Pas Reikjavikut vijnë traktatet historike për reduktimin e armëve

Shtypi e cilësoi gjerësisht takimin si një dështim diplomatik.

“Nuk është dështim, por një hap i madh përpara”, u tha Gorbaçovi gazetarëve në Reikjavik. “Ne pamë përtej horizontit, për të menduar për një botë pa armë bërthamore.”

Në një fjalim televiziv drejtuar amerikanëve, Regani tha: “Jam ende optimist se do të gjendet një mënyrë. Dera është e hapur dhe mundësia për të filluar eliminimin e kërcënimit bërthamor është brenda mundësive tona.”

Bisedimet e gjata në Reikjavik hapën rrugën për dy traktate historike për reduktimin e armëve bërthamore, pasi Gorbaçovi hoqi dorë nga kërkesa për ta lidhur reduktimin e raketave me kufizimet për testimin e SDI-së.

Në dhjetor të vitit 1987, Regani dhe Gorbaçovi nënshkruan Traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme (INF), i cili eliminonte raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme. Katër vjet më vonë, udhëheqësi sovjetik dhe pasardhësi i Reganit, presidenti George H. W. Bush, nënshkruan Traktatin START I, që reduktoi numrin e armëve bërthamore strategjike.

Më vonë, Gorbaçovi i tha Shultzit se takimi me Reganin në Reikjavik ishte pika e kthesës së Luftës së Ftohtë, sepse për herë të parë dy udhëheqësit kishin diskutuar drejtpërdrejt dhe për një kohë të gjatë, në një bisedë të vërtetë, për çështjet më të rëndësishme.