Njoftimi i shpërndarë nga Zyra e Shtypit e Partisë Socialiste për takimin e zhvilluar në Pogradec, ku Kryeministri Edi Rama u mblodh me të deleguarit politikë dhe kryetarët e komisioneve parlamentare për të diskutuar dokumente brendapartiake si “BESA” dhe “Prania Besnike”, nxjerr në pah një problematikë të përsëritur në kulturën politike shqiptare: fshirjen e kufirit mes shtetit dhe partisë në pushtet.
PS, e dinte se takimi ishte partiak, ndaj njoftimet për shtyp nuk i ndau përmes kanaleve qeveritare, por përmes grupeve të komunikimit të vetë PS. (siç duket në foton në vijim).
Për sa kohë që vetë e majta e pranon përmes njoftimeve zyrtare partiake se aktiviteti është tërësisht i natyrës politike dhe organizative të PS-së, shfrytëzimi i logjistikës shtetërore përbën shkelje direkte të parimit të barazisë në garën politike.
Përdorimi i Vilës Qeveritare në Pogradec për mbledhje partiake shndërron një pronë publike, të mirëmbajtur me taksat e të gjithë qytetarëve, në një seli dytësore partie.
Angazhim i stafit të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për mbulimin e shërbimit dhe ushqimit për një strukturë partiake përbën keqdorëzim të burimeve njerëzore dhe financiare të shtetit.
Pyetja hipotetike nëse opozitës do t’i lejohej shfrytëzimi i të njëjtave ambienteve qeveritare për mbledhjet e saj të drejtuesve të komisioneve parlamentare apo grupit parlametar, qoftë edhe përmes pagesës?
Qartazi jo. Këto janë abuzime dhe favora që i takojnë vetëm kryeministrit.
Prania e standardeve të dyfishta ku partia në pushtet e trajton pronën publike si pronë private krijon një avantazh të pamerituar dhe cenon integritetin institucional.
Përzierja e funksionit të Kryeministrit me atë të Kryetarit të Partisë në ambiente shtetërore nuk është thjesht një paqartësi logjistike, por një shpërdorim institucional që dobëson besimin e publikut te paanësia e aparatin shtetëror./vna







