Ballina Europë Hungaria krijon superagjencinë që do të hetojë 4iG-në dhe oligarkët e tjerë

Hungaria krijon superagjencinë që do të hetojë 4iG-në dhe oligarkët e tjerë

71
0

Parlamenti hungarez ka miratuar një ligj, i cili krijon superagjencinë që do të hetojë pasurinë e oligarkëve. E pagëzuar me emrin Zyra Kombëtare për Rekuperimin e Aseteve, kjo agjenci do të ketë pushtet të pakufizuar për të hetuar kompanitë të cilat kanë përfituar kontrata të favorshme nga shtetit, përfshirë ata që njihen si oligarkët e Hungarisë.

Kompania kryesore që do të kalojë në sitën e NVVH-së është pronari i One Albania, grupi 4iG i akuzuar drejtëpërdrejtë nga kryeministri dhe ministrat hungarezë si nëna e oligarkisë.

Mediat hungareze shkruajnë se NVVH-së i është dhënë me të vërtetë një fuqi e madhe. Bazuar në Aktin XXXIV të vitit 2026, zyra mund të hetojë gjithashtu prokurimet publike, subvencionet shtetërore, koncesionet, fondet e BE-së, zinxhirët kontraktualë dhe marrëdhëniet e pronësisë përfituese.

Ajo mund t’i vendosë kompanitë nën mbikëqyrjen e mbrojtjes së aseteve publike, të inspektojë librat, kontratat dhe të dhënat e tyre financiare. Në kushte të caktuara, ajo ka të drejtën e kundërfirmës për kontratat e kompanive nën hetim si dhe madje mund të ndërhyjë në vendime të caktuara të korporatave.

Megjithatë, vendimet e paligjshme mund t’i nënshtrohen dëmshpërblimit gjyqësor dhe shteti mund të jetë përgjegjës për kompensim për dëmin e shkaktuar.

Zyra gjithashtu mund të hetojë, të drejtojë hetimin, të ngrejë akuza dhe të përfaqësojë prokurorinë publike. Kjo në fakt thyen monopolin tradicional të prokurorisë në rastet që përfshijnë pronën publike, siç përcaktohet me ligj.

Aktualisht qeveria hungareze ka hapur konkursin për zgjedhjen e njeriut që do të drejtojë Zyrën e Rekuperimit të Aseteve. Sipas mediave hungareze deri më tani janë paraqitur 100 kandidatë, të cilët do të marrin në dorë institucionin antioligarki në Hungari.

“Ditët në vijim, pra, nuk do të jenë thjesht për zgjedhjen e një kreu të ri shteti. Procesi i përzgjedhjes së personit që do të ndërtojë një nga institucionet më të forta të mbikëqyrjes dhe zbatimit të ligjit në dekada do të fillojë. Besueshmëria e zyrës do të varet nëse ajo mund të godasë njëkohësisht shpërdorimin e fondeve publike dhe t’i rezistojë tundimit të hakmarrjes politike,” shkruajnë këto media.