Ballina Ekonomia “Të penduarit” e karteleve, i pari që denoncon mund t’i shpëtojë plotësisht...

“Të penduarit” e karteleve, i pari që denoncon mund t’i shpëtojë plotësisht gjobës, të tjerët përfitojnë ulje

72
0

Kompanitë që kanë marrë pjesë në marrëveshje të fshehta për çmimet, ndarjen e tregjeve apo manipulimin e ofertave do të mund të shmangin tërësisht gjobën nëse janë të parat që e zbulojnë kartelin dhe i japin Autoritetit të Konkurrencës prova të mjaftueshme për të nisur një kontroll ose për të provuar shkeljen. Për ndërmarrjet e tjera që bashkëpunojnë, gjobat mund të ulen nga 30% deri në 50%, në varësi të radhës dhe vlerës së provave të paraqitura.

Komisioni i Konkurrencës ka miratuar udhëzimin e ri “Për imunitetin nga gjobat dhe lehtësimin e gjobave në rastet e marrëveshjeve të ndaluara”, duke shfuqizuar rregulloren e vitit 2015. Rregullat janë përafruar me programin e Bashkimit Evropian për lehtësimin nga gjobat në rastet e karteleve.

Në praktikë, skema synon ta bëjë më të lehtë zbulimin e marrëveshjeve që zakonisht është e vështirë të dokumentohen nga jashtë. Kartelet mund të përfshijnë fiksimin e çmimeve të shitjes apo blerjes, ndarjen e tregjeve dhe kuotave, manipulimin e ofertave në tenderë, kufizimin e importeve apo eksporteve dhe praktika të tjera kundër konkurrentëve. Sipas vetë Autoritetit, pasoja për konsumatorin janë çmime artificialisht më të larta dhe më pak alternativa, ndërsa për ekonominë kufizimi i konkurrencës dobëson inovacionin dhe konkurrueshmërinë.

Rregulli kryesor është ai i “të parit në radhë”. Një ndërmarrje mund të marrë imunitet nga çdo gjobë nëse zbulon pjesëmarrjen e saj në një kartel që prek tregun shqiptar dhe është e para që sjell informacion dhe prova të afta t’i mundësojnë Autoritetit të kryejë një inspektim të posaçëm ose të konstatojë shkeljen.

Imuniteti, megjithatë, nuk është automatik. Kompania duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe vazhdimisht gjatë gjithë hetimit, të dorëzojë provat që zotëron, të vërë në dispozicion drejtuesit dhe punonjësit për intervista dhe të mos shkatërrojë, falsifikojë apo fshehë dokumente. Ajo gjithashtu duhet t’i japë fund pjesëmarrjes në kartel pas aplikimit. Një kompani që ka detyruar ndërmarrje të tjera të hyjnë ose të qëndrojnë në kartel nuk mund të përfitojë imunitet të plotë, megjithëse mund të kualifikohet për ulje të gjobës.

Për kompanitë që nuk arrijnë të sigurojnë imunitetin e plotë, por sjellin prova me “vlerë të shtuar të konsiderueshme”, udhëzimi parashikon një shkallë të qartë reduktimesh. Ndërmarrja e parë në këtë kategori mund të përfitojë 30–50% ulje të gjobës, e dyta 20–30%, ndërsa kompanitë pasuese mund të marrin një ulje deri në 20%. Sa më herët të dorëzohen provat dhe sa më të forta të jenë ato, aq më i madh mund të jetë reduktimi.

Për të shmangur garën kaotike mes kompanive që kërkojnë të bashkëpunojnë, Autoriteti krijon edhe sistemin e të ashtuquajturit “marker”, i cili i rezervon një kompanie vendin në radhë për një periudhë të caktuar, derisa ajo të plotësojë dosjen me provat e nevojshme. Nëse afati respektohet, kërkesa konsiderohet e depozituar në datën kur është dhënë markeri; nëse jo, kompania e humbet këtë përparësi.

Udhëzimi mbulon edhe kartelet me dimension ndërkombëtar. Një kompani që ka aplikuar për lehtësim pranë një autoriteti të huaj mund të paraqesë një kërkesë të përmbledhur edhe në Shqipëri, nëse marrëveshja mund të ndikojë konkurrencën në tregun shqiptar. Rregullat parashikojnë koordinim me autoritetet e tjera të konkurrencës, megjithëse dispozitat që lidhen me të drejta apo detyrime që burojnë nga statusi i një shteti anëtar të BE-së do të zbatohen vetëm pas aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithsesi, duhet theksuar se shpëtimi nga gjoba administrative nuk e mbyll përgjegjësinë e kompanisë. Autoriteti sqaron se imuniteti ose ulja e gjobës nuk e mbron ndërmarrjen nga pasojat civile të pjesëmarrjes në një shkelje të ligjit të konkurrencës. Kjo do të thotë se subjektet e dëmtuara nga një kartel mund të kenë ende të drejtën të kërkojnë dëmshpërblim.

Pra, modeli i ri mbështetet mbi një kompromis: shteti heq dorë nga një pjesë ose nga e gjithë gjoba ndaj kompanisë që bashkëpunon, në këmbim të provave që mund të çojnë në zbulimin dhe ndëshkimin e një karteli më të gjerë. Vetë Autoriteti argumenton se interesi i konsumatorëve për të zbuluar marrëveshje që mbajnë artificialisht çmimet e larta është më i madh sesa interesi për të gjobitur kompaninë që mundëson zbulimin e tyre. /ekofin.al