Kredia për individët është kthyer në segmentin më dinamik të huadhënies bankare në Shqipëri, duke u rritur me ritme dukshëm më të larta se financimi për bizneset. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, kredia për individët u rrit me 17.1% në terma vjetorë, e mbështetur si nga kreditë konsumatore, ashtu edhe nga ato për blerjen e banesave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, që prej vitit 2022 ritmet e rritjes së kredisë për individët kanë qenë vazhdimisht më të larta se ato të kredisë për bizneset, duke e kthyer këtë kategori në një prej motorëve kryesorë të zgjerimit të portofolit bankar.
Rritja është orientuar pothuajse tërësisht drejt monedhës vendase. Kredia në lekë dha 15.7 pikë përqindje në rritjen totale, ose rreth 92% të zgjerimit të huadhënies për individët, ndërsa kredia në valutë kontribuoi vetëm me 1.4 pikë përqindje.
Në terma vjetorë, kredia në lekë për individët u rrit mesatarisht me 20.2% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa kredia në valutë u zgjerua vetëm me 5.5%.
Ky hendek tregon një zhvendosje të qartë të individëve dhe bankave drejt financimit në lekë, e favorizuar nga normat relativisht të ulëta të interesit dhe nga politikat e sistemit bankar për reduktimin e rrezikut të kursit të këmbimit.
Në fund të qershorit 2026, kreditë në lekë përbënin 78.8% të totalit të kredisë për individët, nga rreth 64.5% në fund të vitit 2019. Pesha e financimit në valutë, në të kundërt, është tkurrur në 21.2%.
Rritja e fortë e huadhënies po ushqehet nga të dy kategoritë kryesore të kreditimit të familjeve.
Kredia konsumatore regjistroi ritmin më të lartë, me një rritje vjetore prej 18.4% në gjysmën e parë të vitit 2026. Pas saj renditet kredia hipotekare, e cila u rrit me 16.1%.
Të dhënat tregojnë se kërkesa e familjeve për financim nuk lidhet vetëm me konsumin, por vazhdon të jetë e fortë edhe në tregun e pasurive të paluajtshme.
Por harta e kreditimit tregon një përqendrim shumë të fortë në Tiranë.
Në kredinë konsumatore, kryeqyteti përfaqëson 56.8% të stokut total. Shqipëria perëndimore, ku përfshihen edhe qytetet kryesore bregdetare, zë 27.2%, ndërsa Shqipëria e mesme 8.9% dhe ajo lindore vetëm 7.1%.
Përqendrimi është edhe më i fortë te kreditë për blerjen e banesave.
Plot 75% e portofolit të kredisë hipotekare për individët është e përqendruar në Tiranë. Shqipëria perëndimore përfaqëson 17.3%, ndërsa pjesa tjetër e vendit ndan një pjesë shumë të vogël të financimit.
Banka e Shqipërisë evidenton se gjatë dekadës së fundit pesha e Tiranës dhe e qyteteve kryesore bregdetare në kredinë për individët është rritur vazhdimisht, ndërsa ajo e rajoneve të tjera është tkurrur.
Kjo prirje tregon se edhe financimi bankar po ndjek gjithnjë e më shumë përqendrimin ekonomik, demografik dhe të tregut të pasurive të paluajtshme në kryeqytet dhe në zonat kryesore bregdetare.
Një tjetër faktor që po mbështet rritjen e kreditimit janë normat relativisht të favorshme të interesit.
Norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë ishte 3.9% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, e pandryshuar krahasuar me mesataren e gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar.
Për kreditë konsumatore, norma mesatare e interesit zbriti lehtë në 8.5%, nga 8.6% gjatë vitit 2025.
Ndryshe është situata te kreditë hipotekare në euro, ku normat kanë shfaqur një prirje të lehtë rritëse. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo lidhet edhe me ecurinë e Euribor-it në tregjet ndërkombëtare.
Përveç kostos së financimit, bankat kanë bërë edhe më të lehta kushtet për marrjen e kredive nga individët.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, standardet e kreditimit u lehtësuan si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për financimin e blerjes së banesave.
Konkurrenca mes bankave vlerësohet si faktori kryesor që ka ndikuar në këtë drejtim. Paralelisht, bankat kanë rritur tolerancën ndaj rrezikut dhe kanë ofruar kushte më favorizuese, veçanërisht duke rritur madhësinë e kredisë dhe duke zgjatur afatin e shlyerjes.
Lehtësimi ka qenë më i dukshëm në segmentin e kredive konsumatore.
Dinamika shqiptare është pjesë e një tendence më të gjerë rajonale. Kredia për individët po rritet me ritme të larta në pjesën më të madhe të Ballkanit dhe Evropës Qendrore.
Në vendet e Ballkanit, me përjashtim të Rumanisë, rritja vjetore e këtij segmenti luhatet mes 12% dhe 21%, ndërsa në Evropën Qendrore mes 5% dhe 17%.
Me një rritje prej rreth 17%, Shqipëria pozicionohet pranë mesatares së vendeve të Ballkanit dhe mes ekonomive me ritëm të lartë të zgjerimit të kreditimit për individët.
Edhe pritshmëritë për muajt në vijim mbeten në kahun rritës.
Sipas vrojtimeve të aktivitetit kreditues, kërkesa e individëve për financim pritet të vijojë të rritet si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për konsum. Kjo lidhet me pritshmëritë pozitive për tregun e pronave, rritjen e konsumit privat dhe përmirësimin e besimit konsumator.
Bankat parashikojnë gjithashtu kushte edhe më të favorshme financimi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, veçanërisht për kreditë hipotekare.
Me kreditimin e individëve që rritet me 17.1%, kredinë konsumatore me 18.4% dhe hipotekat me 16.1%, familjet shqiptare po zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në aktivitetin kreditues të bankave. Ndërkohë, fakti që tre në katër lekë të kredisë hipotekare janë të përqendruara në Tiranë tregon se bumi i huadhënies po shkon paralelisht edhe me përqendrimin gjithnjë e më të madh të tregut të banesave në kryeqytet./ekofin.al







