Kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, i ka kërkuar një gjykatë federale në Uashington të pezullojë ekzekutimin e gjobës 13 milionë dollarë ndaj Shqipërisë për konçesionin e vendburimeve të naftës Gorisht-Kocul-Cakran-Mollaj.
Konflikti në fjalë përfshin qeverinë shqiptare dhe kompaninë GBC Oil Co.Ltd, një kompani e regjistruar në ishujt Cayman me pronarë shqiptarët, Naim Kasa, Kreshnik Greza dhe amerikanin Mark Crawford, ish kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Por të drejtën e arkëtimit të gjobës tani e ka financuesi i çështjeve gjyqësore Omni Bridgeway. Kjo e fundit financoi gjyqin e GBC ndaj qeverisë shqiptare dhe arriti të shtijë në dorë arkëtimin e gjobës, pasi GBC nuk i shleu detyrimet.
Konflikti
Historia e konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GBC Oil nis në vitin 2007, kur qeveria shqiptare i dha një kompanie të quajtur Stream Oil and Gas, licencën për shfrytëzimin e 4 vendburimeve të naftës.
Bëhej fjalë për vendburimet Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinë. Stream Oil ishte dhe kjo një kompani e regjistruar në ishujt Kayman, por pas të cilës qëndronte Arian Tartari, një biznesmen afër ish qeverisë së Partisë Demokratike.
Në vitin 2008, qeveria shqiptare vendosi të rrisë në 10 për qind rentën minerare që paguanin kompanitë e naftës. Stream Oil pretendoi kompesim, por qeveria nuk pranoi. Si rezultat kompania nisi të akumulonte borxhe të papaguara ndaj shtetit, të cilat arritën deri në 27 milionë dollarë.
Me rrotacionin e pushtetit në vitin 2014, Stream Oil iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone, i cili zotëron kompaninë TransAtlantic Petroleum. Ky i fundit, pasi e bleu kuptoi që kompania kishte dhe borxhe të tjera ndaj furnitorëve në Shqipëri, përveç atyre ndaj Tatimeve.
Malone e mbajti dy vjet kompaninë TransAtlantic Albania dhe e shiti atë tek kompania GBC Oil e Naim Kasës, Kreshnik Grezës dhe Mark Craëford. Ky i fundit ishte njeriu që negocioi transaksionin e shitjes.
Arbitrazhi
Në viti 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet e naftës, që tani ishin nën pronësinë e GBC Oil me argumentin se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e marrëveshjes koncesionare si dhe kishte 40 milionë dollarë borxhe të papaguara në shtet.
Pas shtetëzimit, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih duke kërkuar 110 milionë dollarë kompesim nga qeveria shqiptare.
Në Korrik të vitit 2020, Gjykata hodhi poshtë pjesën më të madhe të pretendimeve të GBC Oil, por e gjobiti Shqipërinë me 12.7 milionë dollarë, para të cilat qeveria duhet t’ia paguante GBC Oil si kompesim për të neutralizuar rritjen e taksave pas marrëveshjes koncesionare.
Fillimisht qeveria e raportoi çështjen si të fituar, por lajmi për gjobën u zbulua 4 vjet më parë kur GBC Oil kontraktoi kompaninë australiane Omni Bridgeway për procedurat e ekzekutimit.
Gjoba kundër Shqipërisë u rikonfirmua në shkurt të vitit të kaluar nga Gjykata Federale e Uashingtonit, ndërsa në mars të këtij viti Omni Bridgeëay arriti të merrte po nga gjykata e Uashingtonit të drejtën për të konfiskuar asetet e Shqipërisë jashtë për të ekzekutuar gjobën.
Tashmë Albpetrol po i kërkon gjykatës të pezullojë vendimin e konfiskimit të parave me argumentin se Omni ka deklaruar në mënyrë të gabuar që shërbimi është kryer.
Si humbi shteti 40 mln dollarë
Përpara vendimit të arbtrazhit, GBC Oil lidhi një marrëveshje financimi me një kompani kanadeze të quajtur IMF Bentham. Kjo e fundit mori përsipër të financonte shpenzimet e arbitrazhit të GBC Oilit kundër qeverisë shqiptare, kundrejt një përqindje nga fitimi i mundshëm në arbitrazh. Pak kohë më vonë IMF Bentham u ble nga Omni Bridgway, një fond australian, i specializuar në financimin e konflikteve gjyqësore.
Dokumentat e siguruara nga Kapitali tregojnë se Bentham dhe më vonë Omni financuan gjthsesj 3.6 milionë dollarë shpenzime për GBC Oilin. Por teksa kishin marrë të drejtën e njohjes së 12.7 milionë dollarëve në arbitrazh, shumë shpejt ngjarjet morën një kthesë interesante.
Tre muaj pas vendimit të arbitrazhit, Omni hapi një padi në një gjykatë të ishujve Cayman për të kërkuar falimentimin e GBC Oilit. Arsyeja ishte se GBC nuk kishte arritur të shlyente një kredi prej 600 mijë eurosh ndaj Raiffeisen Bank në Shqipëri.
Gjykatësi në ishujt Cayman e futi menjëherë në procedurë likuidimi GBC Oilin duke caktuar si bashkëlikujdues Christopher Kennedy and Barry Lynch. Procesi i likujdimit zgjati tre vjet, por dy muaj para se GBC Oil të falimentohej zyrtarisht Omni dhe GBC, e cila tani administrohej nga likujdatorët në ishujt Cayman, hynë në një marrëveshje transferimi.
“GBC Oil me anë të kësaj marrëveshje shet, cakton dhe transferon në mënyrë të pakthyeshme në Datën e Hyrjes në Fuqi tek Omnia BL të gjitha të drejtat, titullin dhe interesin e GBC-së në Pretendimin (që për shmangien e dyshimit, përfshin cmimin e fituar ne Arbitrazh), për një shumë të vlefshme ekuivalente me 14,438,963 USD, por asnjë nga detyrimet ose detyrimet e GBC-së,” thuhet në marrëveshje.
Me pak fjalë përmes kësaj marrëveshje Omni mori të drejtën për të arkëtuar gjobën e caktuar nga vendimi i arbitrazhit, e cila së bashku me interesat shkonte në 14.4 milionë dollarë, ndërsa borxhet ndaj shtetit shqiptar i mbetën GBC Oilit.
Një muaj pas kësaj marrëveshje GBC u falimentua zyrtarisht dhe bashkë me falimentimin e saj u tretën edhe 40 milionë dollarë borxhe që ajo kishte ndaj shtetit shqiptar. Por ai që mbeti ishte vendimi i arbitrazhit, të drejtat e të cilit i kaluan Omni Bridgeëayt.
Si rezultat, Shqipëria e cila duhet të kishte marrë 27 milionë dollarë të pastra nga GBC Oil, tani jo vetëm që nuk do të marrë asgjë, por do të paguajë 15 milionë dollarë tek Omni.
Ky ishte goli që iu bë Shqipërisë përmes skemës Omni-GBC Oil, një gol që iu grabiti qytetarëve shqiptarë 40 milionë dollarë, për shkak se qeveria nuk denjoi të ndiqte çështjen dhe të paktën të zeronte vendimin e arbitrazhit me borxhet që GBC Oil kishte ndaj shtetit.







