Ballina Politika “Ndryshimi politik po vjen! Vjeshta…”/ Aktivisti Andi Tepelena: Edhe lëvizjet në qeveri...

“Ndryshimi politik po vjen! Vjeshta…”/ Aktivisti Andi Tepelena: Edhe lëvizjet në qeveri s’i ndalin protestat, dorëheqja e Ramës e panegociueshme

45
0

Aktivisti Andi Tepelena, një prej pjesëmarrësve që prej ditës së parë të protestave, thotë se lëvizja qytetare ka marrë përmasa që, sipas tij, askush nuk i kishte parashikuar. Në një intervistë në News24, Tepelena u shpreh se protestat nisën nga një çështje mjedisore, por më pas u shndërruan në një reagim më të gjerë ndaj problemeve sociale, ekonomike dhe politike në vend.

Sipas tij, dhuna e ushtruar ndaj komunitetit në zonën e Zvërnecit shërbeu si një katalizator për zemërimin qytetar. Aktivisti tha se pas protestave qëndrojnë një sërë problematikash që, sipas tij, kanë krijuar një klimë dëshpërimi te qytetarët, duke përmendur emigracionin, shërbimet publike dhe rritjen e çmimeve. Ai theksoi se kërkesat e protestuesve tashmë kanë marrë një karakter të qartë politik. Tepelena kritikoi gjithashtu funksionimin e institucioneve dhe rezultatet e drejtësisë, duke argumentuar se situata kërkon një reagim politik dhe institucional. Aktivisti u shpreh optimist se muajt e ardhshëm mund të sjellin ndryshime në skenën politike shqiptare. Ai e cilësoi praninë e të rinjve në protesta si një prej elementëve më të rëndësishëm të lëvizjes, duke thënë se ata janë bashkuar përtej ndarjeve tradicionale politike. Sipas Tepelenës, kjo situatë tregon se shoqëria shqiptare ka nevojë për një “ristartim politik”, ndërsa shtoi se figurat e vjetra politike nuk duhet të jenë më në qendër të politikës.

Tepelena deklaroi se beson se protestat mund të sjellin një ndryshim politik dhe se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet, sipas tij, një kërkesë e panegociueshme e lëvizjes. Ai foli edhe për zhvillimet që priten në shtator, duke iu referuar veçanërisht nisjes së sesionit të ri parlamentar. Aktivisti e përshkroi lëvizjen si një reagim që ka kapërcyer ndarjet partiake dhe që synon, sipas tij, një ndryshim të modelit politik në vend.

“Unë dhe shumë të tjerë nuk e mendonim se kjo do të kthehej në një lëvizje kaq të gjerë, pasi u nis gjithçka nga një krim mjedisor. Që më pas u përhap. Dhuna mendoj se ishte ajo që u bë katalizator për reagim, dhuna që u ushtrua nga një banor i zonës në Zvërnec. Dhunë ndaj komuniteteve, për një vend pune, për çdo sektor. Dhuna ishte ajo që bëri të shpërthejë ky reagim. Qytete që braktisin shqiptarët, me dhunë në një fare mënyrë, e ndaj shqiptarët reaguan ndaj kësaj dhune. Reagimi erdhi nga dëshpërimi që kishin shqiptarët. Shqiptarët nuk po gjenin asnjë hapësirë. Kjo bëri që shumë arsye, si emigracioni, shërbimet publike, apo dhe çmimet e larta, të jenë përcaktues të kësaj revolte. Shqiptarët paskan qenë gati, pasi dolën me kërkesa politike, të qarta, që nuk e duan më këtë qeveri, duan një qeveri teknike. Shqiptarët janë në dëshpërim. Ndaj çdo qeverisje duhej të kishte reaguar, siç do të ndodhte në një vend normal, ku pretendohet që të ketë institucionet të pavarura. Drejtësia nuk po jep rezultate konkrete të paktën në atë politik. Shpresojmë që vjeshta të ketë të reja të rëndësishme, dhe të ketë përmbysje. Projekti është për një Shqipëri normale. Në këto momente ku ndodhet Shqipëria nuk është në kushte normale, ekonomike dhe politike. Ne jemi një shoqëri që është e mbytur nga borxhet. Kjo protestë po ngjall shpresën. Prezenca e të rinjve në protestë është shpresa më e madhe. Mendoja se rinia ishte indiferente ndaj ngjarjeve që ndodhte, por fakti që po ngulmojnë me protestën e nuk ndalen, është shpresë për të ardhmen. Ata i bashkon atdheu, as e majta dhe as e djathta. Aty ke grupe të ndryshme, është ndërtuar një komunitet njerëzit, pavarësisht bindjeve politike. Ata duan ndryshimin. Nevoja për ndryshim është e madhe, siç ihte në kohën kur kërkohej rrëzimi i komunizmit. Besoj dhe kam bindjen që ndryshimi politik po vjen. Kemi nevojë për një ristartim politik. Rama dhe Berisha përfaqësojnë klasën e vjetër politike. Duhet të hiqet kulti politik, që të ndodhë katarsis i natyrshëm. E dëgjoj gjithmonë se; çfarë do të ndodhë në shtator! ME rëndësi është ajo se çfarë do të ndodhë. Në shtator do të ketë zhvillime, siç është dhe seanca e parë e Kuvendit, ku do të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve në proteste. Do të marrë pjesë dhe diaspora.”, tha ai.

Tepelena u shpreh gjithashtu se zhvillimet e brendshme politike dhe çdo ndryshim i mundshëm në qeveri nuk do të mjaftojnë për të ndalur protestat. “Edhe me ndryshimet që mund të bëjë Rama në qeveri, nuk e ndryshojnë dhe rrëzojnë protestën. Ne duam dorëheqjen e tij!”, deklaroi ai. Sipas tij, lëvizja protestuese do të vijojë me të njëjtat kërkesa politike, ndërsa dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kërkesa kryesore e protestuesve.