Ballina Opinion A është Rama gati për luftën e shtatorit?

A është Rama gati për luftën e shtatorit?

42
0

Nga Klevis Elezi 

Edi Rama mund të ketë shumicën në Kuvend, por kjo nuk do të thotë se e ka të fituar betejën politike. Përkundrazi. Pikërisht tani, kur pushteti i tij duket më i konsoliduar se kurrë, problemet më të mëdha mund t’i ketë brenda vetë strukturës që drejton.

Sepse një pjesë e deputetëve të tij janë kthyer në spektatorë të pushtetit. Ngrohin karriget, votojnë dhe presin udhëzimin e radhës. Por politika nuk mbahet vetëm me vota në Kuvend. Ajo mbahet me njerëz që dinë të lexojnë terrenin, të komunikojnë me qytetarët, të mbrojnë vendimet e qeverisë dhe, mbi të gjitha, të prodhojnë rezultat.

Dhe këtu Rama ka një problem.

Nëse deputeti është politikisht i dobët, drejtori është arrogant dhe kryetari i bashkisë është i konsumuar, atëherë edhe pushteti më i madh fillon të çahet nga poshtë.

Prandaj Rama tani ka përpara një detyrë shumë më të vështirë: të gjejë njerëz të rinj për territorin. Kryetarë bashkish, drejtues politikë dhe administratorë që nuk janë aty thjesht për të mbajtur një karrige, por për të fituar betejën politike çdo ditë.

Sepse zgjedhjet nuk fitohen vetëm në Tiranë. Fitohen në bashki, në lagje, në zyra, në rrugë dhe mbi të gjitha në kontaktin me qytetarin.

Por beteja nuk mbaron këtu.

Rama duhet të përballet edhe me një tjetër problem: administratën. Nuk mund të ndërtohet një shtet funksional me drejtorë që sillen sikur janë pronarë të institucioneve, me arrogancë, me klientelizëm, me gjoba dhe me mungesë përgjegjësie.

Nuk mjafton të ndryshosh një drejtor sepse është konsumuar politikisht. Duhet të ndryshosh standardin.

Nëse administrata do të vazhdojë të jetë vendi ku qytetari përballet me “miss bukurinë”, me gjobaxhinj, me arrogantë dhe me njerëz që e konsiderojnë postin publik pronë personale, atëherë çdo fjalim për reformim të shtetit mbetet propagandë.

Dhe pikërisht këtu vjen “Besa e Shtatorit”.

Nëse kjo do të jetë thjesht një tjetër slogan politik, atëherë asgjë nuk ka ndryshuar.

Por nëse Rama e ka kuptuar se sistemi ka nevojë për pastrim real, për njerëz të rinj dhe për një disiplinë të re politike, atëherë shtatori mund të jetë fillimi i një lufte të madhe brenda vetë mazhorancës.

Sepse lufta më e vështirë e një kryeministri nuk është gjithmonë me kundërshtarin.

Ndonjëherë është me njerëzit e vet. Me ata që janë rehatuar. Me ata që kanë harruar pse janë aty. Me ata që mendojnë se pushteti është privilegj dhe jo përgjegjësi.

Edi Rama ka ndërtuar një makineri politike shumë të fuqishme. Por makineritë, sado të fuqishme të jenë, kanë nevojë për pjesë që funksionojnë.

Dhe tani pyetja është e thjeshtë:

A do ta riparojë Rama makinerinë, apo do të presë derisa ajo të fillojë të prishet në lëvizje?

Shtatori mund të jetë përgjigjja.

Dhe nëse “Besa” kthehet në veprim, atëherë nuk do të kemi thjesht një vjeshtë politike.

Do të kemi një luftë për kontrollin e vetë pushtetit.

A është Rama gati?

Sepse këtë herë, beteja mund të mos vijë vetëm nga përballë. Mund të vijë nga brenda./bulevardnews