Ballina Kronika Publikimi i fotove të Ergys Agasit pas arrestimit, AMP vendos nën hetim...

Publikimi i fotove të Ergys Agasit pas arrestimit, AMP vendos nën hetim Policinë e Tiranës

84
0

Në media u bënë virale fotografi të Ergys Agasit, të shkrepura brenda automjetit të Policisë, gjatë transportimit të tij nga Durrësi drejt Tiranës. Fotografi të tjera të tij u publikuan edhe nga ambientet e shoqërimit në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Publikimi i këtyre fotove ngre pikëpyetje mbi respektimin e rregullave për aksesin, administrimin dhe përpunimin e të dhënave personale, si edhe mbi detyrimin e punonjësve të Policisë për ruajtjen e konfidencialitetit.

Pikërisht për këtë arsye, këtë të enjte, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim administrativ, me qëllim identifikimin e personave që kanë realizuar dhe shpërndarë fotografitë e të arrestuarit.

Grupet e hetimit të AMP-së ndodhen në terren dhe po kryejnë verifikime lidhur me punonjësit e Policisë Tiranë, me fokus te mënyra se si janë realizuar, aksesuar dhe nxjerrë jashtë strukturave policore këto pamje.

Hetimi pritet të përcaktojë nëse fotografitë janë realizuar nga punonjës policie, kush ka pasur akses në ambientet dhe mjetet ku ndodhej i arrestuari dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave personale.

Në përfundim të verifikimeve, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pritet të reagojë zyrtarisht për rastin dhe të bëjë me dije rezultatet e hetimit administrativ.