Ballina Europë Polonia kërkesë BE-së: Kompania “Meta” të gjobitet me 250 milionë euro

Polonia kërkesë BE-së: Kompania “Meta” të gjobitet me 250 milionë euro

39
0

Ministri polak i Çështjeve Digjitale, Krzysztof Gawkowski, i ka kërkuar Komisionit Evropian që t’i vendosë kompanisë Meta një gjobë prej 250 milionë eurosh, duke e akuzuar për mosmarrjen e masave të mjaftueshme kundër reklamave mashtruese dhe përmbajtjeve të dëmshme që synojnë përdoruesit në Poloni.

Gawkowski deklaroi në rrjetin social X se “Perëndimi i Egër” në platformat e Metas duhet të marrë fund dhe kërkoi që kompania të vendosë menjëherë mekanizma më efektivë për të luftuar mashtrimet, reklamat e rreme dhe promovimin e aplikacioneve të paligjshme.

Thirrja e ministrit polak vjen pas shqetësimeve të reja për përdorimin e teknologjisë deepfake, veçanërisht pas qarkullimit në Facebook të një videoje të krijuar me inteligjencë artificiale, ku imitohej presidenti polak Karol Nawrocki dhe promovohej një skemë e dyshimtë investimi.

Në një letër drejtuar Komisionit Evropian, Gawkowski argumentoi se përmasat e problemit tregojnë mangësi serioze në mënyrën se si menaxhohet reklamimi në platformat e mëdha online dhe theksoi se autoritetet polake kanë raportuar vazhdimisht raste të tilla.

Meta, nga ana tjetër, tha se lufta kundër reklamave mashtruese është një prej sfidave më të vështira për ekosistemet digjitale dhe kërkon bashkëpunim mes platformave, qeverive dhe autoriteteve ligjzbatuese.

Kompania bëri të ditur se nga korriku 2025 deri në qershor 2026 ka hequr rreth 137 mijë reklama me origjinë nga Polonia për shkelje të politikave kundër mashtrimit, ndërsa mbi 88 për qind e tyre janë larguar përpara se të raportoheshin nga përdoruesit.

Megjithatë, Gawkowski këmbënguli se Meta ende nuk ka ofruar masa bindëse dhe efektive për garantimin e sigurisë së përdoruesve polakë.