Ish-kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Alesia Balliu, ka hedhur akuza të forta ndaj deputetes së PS-së për Elbasanin, Aulona Bylykbashi, duke ngritur pikëpyetje mbi pasurinë e saj dhe aktivitetin e saj gjatë kohës që punonte në administratën publike. Balliu është ndalur veçanërisht te numri i pronave që, sipas saj, zotëron Bylykbashi, duke pretenduar se bëhet fjalë për 11 prona, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si janë krijuar këto pasuri. “Shqipëria është një vend i vështirë për njerëzit e thjeshtë, por jo për deputeten e Elbasanit, Aulona Bylykbashin, ku vetëm me një rrogë 600 € ke talentin e rrallë për të blerë 11 prona.
Po, po, 11 prona. 11 prona me një rrogë 600 € dhe më e bukura është që, sa nisi puna si administratore, me overdraft e me shkopin magjik, Aulona Bylykbashi nga bashkia u bë edhe deputete. Këtu fillon pjesa interesante. Me çfarë lekësh i bëre pasuritë? Sa tendera ke firmosur për subjekte të krimit dhe korrupsionit dhe çfarë ke marrë në këmbim? A janë pasuritë e tua produkti i aferave korruptive me tenderat?
Dhe tani pyetja që e bën historinë edhe më interesante është: pse BKH-ja të sekuestroi celularin dhe cili është roli yt në kalimin e pronave publike përmes aferave fiktive në duart e krimit, sepse në Shqipëri duket se edhe 600 euro kanë filluar të bëjnë mrekulli. Nga një rrogë modeste 600 euro blen 11 prona. Nga zyrtare në deputete, vetëm një gjë mbetet pa u shpjeguar: nga erdhën paratë, Aulona? Edhe po nuk u përgjigje qytetarëve, do t’i përgjigjesh SPAK-ut. Të jesh e sigurt”, tha ajo.
Tenderat e dyshimtë
Një tender me vlerë rreth 600 mijë euro i dhënë nga Bashkia Elbasan për kompaninë “Viola Green” ngre pikëpyetje, pasi administratori i kompanisë, Bujar alias Marsel Shega, ndodhet në burg në kuadër të një hetimi të SPAK. Në denoncimin nga Balliu, behet fjalë për procedurën me objekt “Kryerja e shërbimit të pastrimit në disa njësi administrative të Bashkisë Elbasan”, me fond limit 57,390,513 lekë pa TVSH. Sipas dokumenteve të tenderit, “Viola Green” paraqiti ofertë prej 56,454,641.19 lekësh pa TVSH dhe rezulton operatori ekonomik i suksesshëm.

Dokumentet e Bashkisë Elbasan mbajnë firmën e Aulona Bylykbashit, në cilësinë e zëvendëskryetares dhe personit të autorizuar nga autoriteti kontraktor. Por tenderi merr një tjetër dimension kur vendoset përballë situatës së administratorit të kompanisë. Bujar alias Marsel Shega, administrator i “Viola Green”, është arrestuar në Itali në kuadër të një hetimi të SPAK dhe më pas është ekstraduar në Shqipëri. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ai i ka mohuar akuzat.

Sipas hetimeve të bëra publike, Shega dyshohet për vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Kjo ngre një pyetje të drejtpërdrejtë për Bashkinë Elbasan: Çfarë verifikimesh janë kryer përpara se një kompani e lidhur me një administrator të arrestuar më vonë nga SPAK të shpallej fituese e një kontrate publike me vlerë rreth 600 mijë euro?
Dhe një tjetër pyetje kërkon përgjigje: A janë verifikuar në mënyrë të plotë kriteret teknike, financiare dhe ligjore të kompanisë përpara dhënies së kontratës? Dokumentet e tenderit tregojnë se një tjetër operator ekonomik, “REI” sh.p.k., u skualifikua për mosplotësim të kritereve kumulative të kapaciteteve ekonomike-financiare dhe teknike. Në këtë situatë, transparenca e Bashkisë Elbasan është e domosdoshme: si u vlerësua “Viola Green”, cilat ishin verifikimet e kryera dhe mbi çfarë baze u shpall fituese? Sepse bëhet fjalë për para publike dhe një kontratë prej dhjetëra milionë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.







