Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vilën Qeveritare, ku në orën 18:00 do të zhvillojë një takim me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat.
Takimi ishte parashikuar të zhvillohej në selinë e Partisë Socialiste, por është zhvendosur në Vilën Qeveritare. Ndryshimi i vendndodhjes vjen pasi protestuesit kishin bërë thirrje për grumbullim pranë selisë së PS-së.
Ndërkohë, nga zona e Ambasadës Amerikane deri te Vila Qeveritare, rruga është e mbushur me forca policie. Në hyrje të vilës është vendosur gjithashtu një perimetër sigurie, ku nuk lejohet kalimi i personave pa autorizim. Takimi pason mbledhjet dyditore të socialistëve në Pogradec dhe mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Gjatë takimit, Rama pritet t’u japë drejtuesve politikë udhëzimet për punën që duhet të nisin në zonat e tyre elektorale, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Drejtuesit politikë pritet të zhvillojnë takime me strukturat e PS-së për prezantimin e dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besën” dhe “Praninë Besnike”.
Në Pogradec u prezantua edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve. Sipas projektit, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre.







