Protesta qytetare kundër qeverisë shënon 90 ditë, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e asaj që e cilësojnë si klasa e vjetër politike.
Një prej protestuesve u shpreh se qëllimi i lëvizjes është që e ardhmja e vendit të mos përcaktohet nga interesat politike, por nga qytetarët dhe brezat e ardhshëm.
“Jemi të gjithë në shesh dhe luftojmë për dorëheqjen e Ramës dhe klasës së vjetër politike. Të mos ia lëmë Shqipërinë të tjerëve. Nuk është për t’u shitur, është e fëmijëve tanë që do ta lulëzojnë”, tha ajo.
Protestuesja e cilësoi 90-ditëshin e protestave si një provë për qytetarët, duke theksuar se rrëzimi i një qeverie nuk mund të pritej që në ditën e parë.
“Kjo që po kalojmë është një provë. Nuk e prisnim që ditën e parë të rrëzonim kryeministrin. Duhet të përballemi jo vetëm me sfidat, por edhe me sfidën e përballjes me njëri-tjetrin, me grupet dhe mendimet e ndryshme”, u shpreh ajo.
Sipas saj, pavarësisht dallimeve mes protestuesve, synimi duhet të jetë ndërtimi i një kauze më të madhe se interesat individuale.
“Mes dallimeve duhet të ndërtojmë diçka që është më e madhe se gjithkush prej nesh. Duhet të ndërtojmë besimin se bashkë mund të bëjmë diçka për Shqipërinë”, tha protestuesja.
Ajo e cilësoi sheshin dhe hapësirën e protestës si një vend ku qytetarët kanë mundësi të shprehen lirshëm.
“Për 90 ditë ky mikrofon është tempull i fjalës së lirë. Të gjithë po godasim sistemin me drejtime të ndryshme”, përfundoi ajo.







