Ballina Sport Rafael Leao pritet nga mijëra tifozë të Galatasarayt në Stamboll

Rafael Leao pritet nga mijëra tifozë të Galatasarayt në Stamboll

52
0

Rafael Leao u prit nga mijëra tifozë pasi zbarkoi në Stamboll për të nisur aventurën e tij te Galatasaray, pas largimit nga Milani, duke zgjedhur klubin turk para Aston Villas.

Në tavolinë kishte edhe një ofertë nga Aston Villa, por me shifra dukshëm më të ulëta, si sa i përket shumës së transferimit për Milanin, ashtu edhe pagës së lojtarit.

“Shpresoj t’u sjell shumë gëzim tifozëve të Galatasarayt”, u tha Leao gazetarëve, teksa turma brohoriste emrin e tij.

“Galatasaray po punonte për këtë marrëveshje që nga qershori. Presidenti dhe zëvendëspresidenti bënë një punë vërtet të mirë. Faleminderit të gjithë njerëzve që bënë të mundur realizimin e kësaj marrëveshjeje. Është një mundësi e mirë për mua dhe do të bëj më të mirën”, shtoi ai.

Më herët ishte raportuar se ish-sulmuesi i Napolit, Osimhen, kishte luajtur një rol të rëndësishëm për ta bindur Leao se kjo ishte lëvizja më e mirë për karrierën e tij, pas shtatë vitesh të kaluara në “San Siro”.

“Osimhen është një mik shumë i mirë. Mendoj se do të bëjmë gjëra të mira së bashku te Galatasaray. Jemi në Champions, duam ta fitojmë kampionatin, ndaj jam shumë i emocionuar”, deklaroi reprezentuesi i Portugalisë.

Milani kërkonte 50 milionë euro plus bonuse për ta shitur Leaon, por në fund u detyrua të pranonte një shumë më të afërt me 43-45 milionë euro, plus 2 milionë euro bonuse dhe 20-25 për qind të shumës nga një shitje e ardhshme.

Lojtari pritet të përfitojë rreth 12 milionë euro në sezon nga paga te Galatasaray, ku do të jetë bashkëlojtar me reprezentuesin e Nigerisë, Victor Osimhen.